E Diel, 1 Nëntor 2026

“Deklaratat e PS-së janë të papërgjegjshme, regjistri elektronik, unik, gati dhe pa probleme”

Partia Socialiste tenton të njollosë para kohe procesin e prodhimit të kartave të identitetit
 
Ministria e Brendshme sqaroi dje se për herë të parë në Shqipëri ka një regjistër unik dhe elektronik të shtetasve, me ndërfaqe on-line me procesin e prodhimit të letërnjoftimeve elektronike. Ky dikaster Prej disa ditësh Ministria e Brendshme nëpërmjet medias ka qartësuar procesin e aplikimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike, proces i cili do të shoqërohet me një fushatë të fuqishme publicitare. Ndërkaq në lidhje me koston e këtij procesi, qeveria mori të gjitha masat për të pasur një produkt me kosto të ulët, duke përjashtuar madje edhe nga TVSH-ja letërnjoftimin elektronik dhe duke ulur në
këtë mënyrë edhe me 35% koston e tij.

TIRANE - Ministria e Brendshme ka reaguar dhe denoncuar dje si të papërgjegjshme deklaratën e Partisë Socialiste lidhur me procesin e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike.
Zëdhënësi Fatmir Konja tha se qeveria aktuale arriti të realizojë brenda mandatit të saj të parë atë që qeveritë socialiste nuk arritën ta realizojnë për vite me radhë.
“I gjithë procesi i përgatitjes së letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike ka qenë një nga proceset maksimalisht transparente duke arritur të kemi një letërnjoftim dhe pasaportë biometrike të standardeve nga më të lartat në Evropë. Cilësojmë si të papërgjegjshme deklaratën e Partisë Socialiste në lidhje me Regjistrin Kombëtar të Shtetasve. Sot për herë të parë në Shqipëri ka një regjistër unik dhe elektronik të shtetasve, me ndërfaqe on-line me procesin e prodhimit të letërnjoftimeve elektronike. Qeveria shqiptare mori të gjitha masat për të pasur një produkt me kosto të ulët, duke përjashtuar madje edhe nga TVSH-ja letërnjoftimin elektronik dhe duke ulur në këtë mënyrë edhe me 35 % koston e tij. Prej disa ditësh Ministria e Brendshme nëpërmjet medias ka qartësuar procesin e aplikimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike, proces i cili do të shoqërohet me një fushatë të fuqishme publicitare”, deklaroi Konja. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme shtoi se në aktet nënligjore përkatëse janë pasqyruar edhe sugjerimet e ekspertëve të opozitës për të nxitur përfundimin e procesit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Ministria e Brendshme në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha njësitë e qeverisjes vendore ka marrë të gjitha masat për të pasur një procedurë të lehtë aplikimi dhe pajisjeje me letërnjoftim të qytetarëve”, garantoi Konja.
Ashtu siç kishte paralajmëruar disa ditë më parë përmes disa segmenteve mediatike pranë saj, Partia Socialiste, ka tentuar dje që të njollosë pa filluar procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të reja të identitetit të cilat konsideron si një element tejet i rëndësishëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershorin e këtij viti.
Sekretari për Burimet Njerëzore në selinë rozë, Blendi Klosi, tha dje se  dje se ky proces po zhvillohet në mungesë të plotë të transparencës, ndonëse vetëm disa ditë më parë zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, përmes një konference për shtyp ka sqaruar të gjitha detajet e vendimit qeveritar në lidhje me këtë çështje.
Zyrtari i lartë socialist ka përsëritur edhe kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për subvencionimin e shtresave të nevojë.

Kartat, kushti i KE-së për anëtarësimin në BE

TIRANE - Kartat e identitetit kanë qenë një nga kushtet kryesore e Komisionit Evropian ndaj qeverisë shqiptare për procesin e anëtarësimit në BE. Në vitin 2003 pati një përpjekje për të realizuar procesin me pajisjen me karta identiteti, por nuk u realizua, duke bërë që ai proces të dështojë. Ndërsa aktualisht po tentohet që ky proces të realizohet pikërisht në vitin 2009, përpara mbylljes së procesit të ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtarë, ku çështja ka ngecur në Greqi.
Shqipëria synon të paraqesë kërkesën zyrtare të statusit të kandidatit në BE pas mbylljes së ratifikimit. Zyrtarët e BE-së kanë theksuar me forcë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk duhet të realizohen me certifikatë, por me kartat e reja të identitetit. Kjo ka nxitur që PD dhe PS të miratojnë një proces konsensual, i materializuar me miratimin e ligjit në Kuvend.
Në gjithë Shqipërinë do të jenë 400 zyra të veçanta që do të realizojnë procesin e marrjes së shenjave të gishtave, të retinës dhe të të dhënave të tjera. Shtetasit shqiptarë duhet të paguajnë një shumë prej 1200 lekësh për të marrë këtë kartë. Procesi i një karte zgjat dy javë dhe duhet të jetë vetë shtetasi që ta tërheqë atë, pasi duhet të verifikohen gjurmët e gishtave. Gjithashtu duhet të verifikohen paraprakisht dhe të dhënat nga shtetasi nëse ato janë të sakta.
Në rast se nuk aplikohet për të marrë këtë dokument brenda datës 1 shkurti 2009, do të bllokohet pajisja me pasaportë për jashtë shtetit, shërbimi në zyrat e gjendjes civile, lëshimi ose rinovim i lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor; aplikimi dhe pajisja me certifikatë pronësie nga ana e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme; lëshimi i vërtetimeve dhe dokumenteve të tjera të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore, shërbimet noteriale, shpërndarja e karburantit pa akcizë për fermerët, shërbimi nga zyrat e Alba-Postës etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›