Edhe pas skandalit, Ina Rama vazhdon të banojë në apartamentin e përdhunuesit

Me publikimin e detajeve të dosjes së përdhunimit nr.990, Ina Rama ka hequr dorë nga përpjekja për të përgënjeshtruar në hava faktet e gazetës “55”, megjithatë ka vijuar të banojë në apartamentin e poseduar nga përdhunuesi. Këmbëngulja në këtë shkelje flagrante, një rast që e kanë të vështirë ta shpjegojnë edhe zyrat e psikanalizës
Ina Rama, Prokuroja e Përgjithshme, zgjodhi të heshtë dje pas fakteve që gazeta “55” botoi dy ditë radhazi lidhur me një dosje përdhunimi që është mbyllur dhe që pas kësaj, kryeprokurorja si “shpërblim” ka nisur të banojë në shtëpinë e përdhunuesit, duke na e lënë t’i marrim me mend arsyet e “zemërgjerësisë” së tij.
Një ditë para asaj të djeshmes, Ina Rama, ndoshta e mori për dobësi tonën, faktin se ne si redaksi, për etikë, zgjodhëm të mos i publikojmë hollësitë, si dhe emrat e viktimave të kësaj çështjeje. Dhe për të marrë revanshin, me një vetëbesim naiv, ajo, Ina Rama nxitoi të përgënjeshtrojë, duke thënë se fabula e përdhunimit ishte një trillim i gazetës “55”.
Po dje, kur kësaj fabule ju shtua historia e vërtetë e saj?…
Historia e përdhunimit, dosja e të cilit tashmë rezulton e mbyllur daton në 20 korrik 2008, rreth orës 12. Vendi i kësaj historie përdhunimi është përgjatë segmentit të bregdetit të Durrësit, saktësisht nga lokali “Aragosta” deri te kompleksi “Tropikal”.
Po dje, kësaj fabule iu shtuan edhe elementë të tjerë, sikurse janë emri i oficerit të Policisë Gjyqësore Shkëlqim Prrini, që ka ndjekur (lexo mbyllur) hetimin e kësaj historie, apo edhe nr. 990 i dosjes së përdhunimit.
Dhe pas publikimeve të djeshme, nga gazeta “55”, ajo, “Silvia Konti” e mbetur në tentativë, nuk mori as mundimin më të vogël të tentonte sqarime, a në ia mbante mideja, edhe përgënjeshtrimin e fakteve të publikuara në gazetë.
Sigurisht, ajo s’e ka këtë guxim, sepse i mungojnë faktet, ose e thënë më ndryshe, faktet janë sa kiameti, por të gjitha në disfavor të saj.
Dje, por edhe sot, Ina Rama, nuk mund të mohojë se nuk ka dosje me nr. 990, sepse dje, por edhe sot, ajo nuk ka mundësi falsifikimi të librit të procedimeve, sikurse, bie fjala, shtypi denoncoi se u bë me regjistrimin e procedimit penal ndaj shtetasit britanik Damir Fazlliç, për të cilin më parë firmosi urdhrin e shoqërimit dhe më pas regjistroi procedimin “kryesisht”.
Ina Rama, nuk mund të guxojë të “thellojë” tentativën e saj të dështuar për përgënjeshtrim, sepse ajo tashmë e di, që dosja nr. 990, nuk është thjesht dhe vetëm një dosje e rëndomtë, e blerë në kancelarinë më të rëndomtë, me një shënim të rëndomtë “nr 990”, mbi kapakun e saj, mundësisht me stilolaps. Ajo, kryeprokurorja Ina Rama, tashmë e di, ashtu sikurse edhe ne e dimë, se kjo dosje në dukje e rëndomtë, me nr. 990, ka fabulën e saj, bashkë me “aksesorët”, sikurse janë vendi dhe koha e ngjarjes, ka ekspertizën e saj, mesa duket të zhvlerësuar nga ata që nxituan ta mbyllin këtë dosje, por ka edhe “personazhet” e saj, me emra konkretë, të viktimës, apo edhe të autorit, në shtëpinë e së cilës Ina Rama ka zgjedhur të banojë, pas mbylljes së kësaj dosje.
Por, ajo Ina Rama, e paragjykuar si Silvia Konti, nuk guxoi dje, sigurisht nuk do të guxojë edhe sot, të tentojë përgënjeshtrimin e gazetës “55”, sepse asaj tashmë, jo për tentativë marrje revanshi, por për më tepër se i ka reshtur ai vetëbesim i tepruar dhe me sa duket është bindur për të kundërtën - se ne dimë shumë më shumë për këtë dosje me nr. 990 (dhe jo vetëm), sa që ajo tashmë - dje, sot e pas kësaj, do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të dalë e të provojë në mënyrë të dëshpëruar një seri përgënjështrimesh. Shkurt, ajo është bindur se gazeta “55” është të paktën një hap para saj dhe se çdo tentative të saj të dështuar për përgënjeshtrim, ne gjithmonë do t’i ofrojmë antipërgënjeshtrimin, sigurisht me fakte konkrete.
Por nuk është shqetësuese nëse kryeprokurores i shkon nëpër mend të pretendojë ndonjë përgënjeshtrim të mundshëm ndaj gazetës “55”. Puna është se sikurse pardje, edhe dje, Ina Rama ka banuar në të njëjtin apartament të përdhunuesit. Pa brerje ndërgjegjeje me sa duket, pa u shqetësuar nëse kujtesa e femrës mund t’i japë leksione për dhimbjet e viktimës së përdhunimit. Qëndresa e Ina Ramës në apartamentin e përdhunuesit ishte fakti më shqetësues i ditës së djeshme. Siç rrinë dhjetëra dosje të mbyllura, kryeprokurorja mund ta mbajë të mbyllur edhe dosjen 990 të mbyllur, ajo edhe mund ta (keq)përgënjeshtrojë gazetën “55”, por është shumë për t’u çuditur se ajo po vijon ende të rrijë në apartamentin e përdhunuesin. Është një rast që edhe tipologjitë e psikanalizës e kanë të vështirë ta shpjegojnë.