Deklaratë e Kryeministrit Berisha pas kthimit nga vizita në Pekin

Nga data 7 deri më 10 gusht, isha për vizitë në Republikën Popullore të Kinës, për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Pekin 2008” dhe për t’u takuar me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, Wen Jiabao.
Me datë 8 Gusht, në orën 8 e tetë minuta, në prani të 91 mijë spektatorëve dhe rreth 101 presidentëve, kryeministrave dhe anëtarëve të familjeve mbretërore nga mbarë bota, u hap ceremonia e Lojërave Olimpike, ceremoni e cila, në mënyrë të shkëlqyer, sintetizoi në një lashtësinë dhe modernen, madhështinë e Kinës imperiale, me të sotmen dhe të ardhmen e saj të madhe. Motoja e olimpiadës së Pekinit ishte: “Një botë, një ëndërr”. Ata që ndoqën ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike nga stadiumi “Foleja e zogjve” dhe 4 miliardë shikues nga mbarë bota, përjetuan katër orë show, magji kineze, ëndërr e vërtetë. Kështu mund të vlerësohet ajo ceremoni.
Natyrisht, për mua momenti më kulmor i ceremonisë ishte parakalimi i ekipit shqiptar dhe flamurit tonë kombëtar në stadiumin “Foleja e Zogjve”. Së bashku me Lilin, nga tribuna e personaliteteve më të larta, ne përshëndetëm dhe iu dërguam sportistëve dhe ekipit shqiptar urimet më të përzemërta. Çastet e parakalimit të ekipit shqiptar dhe ceremonia madhështore e hapjes së olimpiadës do të mbeten të pashlyera në kujtesën time. Ishin me të vërtetë momente jashtëzakonisht mahnitëse dhe emocionuese.
Por, në rast se ceremonia e Lojërave Olimpike përbënte për mua dhe të gjithë të pranishmit zhvillimin më kulmor të qëndrimit në Kinë, dua të theksoj se po kaq të rëndësishme ishin edhe zhvillimet dhe ngjarjet e tjera të mëdha të atyre ditëve, si pritja madhështore dhe dreka që shtroi Presidenti i Republikës Popullore të Kinës Hu Jintao, për 101delegacione të vendeve nga mbarë bota. Në këtë pritje, pas fotos zyrtare me Presidentin Hu Jintao, unë u takova dhe bisedova shkurtimisht, por përzemërsisht me mikun e madh të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë, Presidentin George W. Bush dhe zonjën Laura Bush. Së bashku me Lilin, i shprehëm edhe njëherë mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e madhe që ai personalisht, kombi dhe vendi i tij i ka dhënë dhe i japin Shqipërisë. Presidenti më përgëzoi për arritjet e Shqipërisë dhe me shumë dashamirësi më paraqiti tek disa udhëheqës të tjerë të vendeve të botës, të pranishëm aty.
Në pritja, u takova edhe me mikun e madh timin dhe të shqiptarëve, Presidentin e 41-të të SHBA, George Hebert Bush, të cilit i shpreha mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen që ai personalisht, Presidentit Bush dhe SHBA-të i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë, si dhe e ftova të vizitojë Shqipërinë. Presidenti Bush më falënderoi dhe përgëzoi për të gjitha arritjet e Shqipërisë gjatë këtyre viteve, si dhe pranoi ftesën për të vizituar vendin tonë.
Po ashtu, në pritje u takova dhe u përshëndeta përzemërsisht me Presidentin e Francës Nikolas Sarkozy. Unë shfrytëzova këtë moment ta uroj edhe një herë Presidentin Sarkozy për suksesin e madh të samitit të Bashkimit të Mesdheut, që ai thirri dhe organizoi më 13 korrik të këtij vitit, si dhe i ripërsërita ftesën për të vizituar Shqipërinë. Presidenti Sarkozy më siguroi se ai do të vizitojë vendin tonë, e cila do të shënojë një ngjarje historike, vizitën e parë të Presidentit të Republikës Franceze në Shqipëri.
Në këtë pritje, u takova për herë të parë me Presidentin e Brazilit Lula, tek i cili më paraqiti Presidenti Bush. Me Presidentin Lula diskutuam për marrëdhëniet midis dy vendeve. Presidenti Lula më ftoi të vizitoj Brazilin, ftesë që unë e pranova me kënaqësi. Sikundër e ftova Presidentin Lula të vizitojë Shqipërinë. Në këtë mënyrë të inkurajojmë marrëdhëniet dhe shkëmbimet midis dy vendeve tona.
Në pritje, pata një takim dhe bisedë shumë të ngrohtë me Kryeministrin e Japonisë Fukuda dhe zonjën e tij, të cilit i shpreha edhe njëherë mirënjohjen më të thellë për pritjen miqësore që më rezervoi gjatë vizitës sime në Tokio dhe ndihmën e çmuar që i dha Shqipërisë, kredinë e butë prej 110 milionë dollarë për kanalizimet e Tiranës. Unë gjithashtu e njoha Kryeministrin Fukuda me mbarëvajtjen e projekteve në të gjitha fushat, në Shqipëri, të financuara nga qeveria japoneze. Kryeministrit Fukuda i ripërsërita ftesën për të vizituar Shqipërinë. Kryeministri Fukuda shprehu kënaqësinë për mbarëvajtjen e projekteve, të firmosura nga qeveria japoneze dhe me siguroi se do të vizitojë Shqipërinë, në kohën më të mundshme. Dua t’ju informoj se mbështetja japoneze për Shqipërinë do të zgjerohet e rritet më tej.
Gjatë pritjes u takuam, shkëmbyem përshëndetje të përzemërta dhe mendime me Presidentin e Izraelit Simon Peres, me Presidentin e Zvicrës Pascual Couchepin, të Kroacisë Stipe Mesiç, Kryeministrin e Holandës, të Finlandës, të Pakistanit, Angolës, anëtarë të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtues të rëndësishëm të këtij vendi dhe udhëheqës të tjerë, të ftuar nga Presidenti Hu Jintao.
Më datën 7 gusht, unë u prita nga Ministri i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, zotin Wang Jiarui dhe pata me të një bisedë të ngrohtë dhe miqësore. Në këtë takim, zoti Jiarui më falënderoi për pritjen miqësore që i kisha rezervuar gjatë vizitës së tij në Shqipëri, me ftesë të Partisë Demokratike. Ne diskutuam gjerësisht për zgjerimin e marrëdhënieve të gjithanshme ndërshtetërore midis dy vendeve dhe dy partive e organizatave tona respektive.
Dje paradite, u prita në një takim të veçantë nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Wen Jiabao. Pas përshëndetjeve miqësore dhe të përzemërta, unë shfrytëzova rastin për të falënderuar përzemërsisht Kryeministrin Wen Jiabao për takimin që më rezervoi dhe e urova për suksesin e shkëlqyer në organizimin dhe ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. Kryeministri më falënderoi për pjesëmarrjen në këtë ceremoni, si dhe për të gjithë ndihmën, kontributin dhe angazhimin tim për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit mes dy vendeve dhe kombeve tona.
Kryeministri Wen Jiabao shprehu vlerësimin e tij të lartë dhe të qeverisë së tij për ndryshimet e mëdha që ka bërë Shqipëria mike e Kinës, gjatë viteve të fundit, përpjekjet e saj serioze dhe të suksesshme në procesin e integrimit në BE.
Në takim, e sigurova Kryeministrin Wen Jiabao se unë mbetem i vendosur për konsolidimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe kombeve tona. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, Kina është një vend mik. Ndryshimet e mëdha, zhvillimi i fuqishëm i këtij vendi është i një rëndësie të madhe jo vetëm për Kinën dhe miqtë e saj, por për mbarë botën.
Me Kryeministrin Jiabao diskutuam gjerësisht për marrëdhëniet tona politike, të cilat, konstatuam se janë shumë të mira. Pas deklaratës që kam firmosur në vitin 1996 me Presidentin Jiang Xemin, një dokument ky që i vendos marrëdhëniet midis dy vendeve tona në një bazë të re. Konstatohet me kënaqësi se janë shkëmbyer një seri vizitash shumë të larta politike dhe u theksua se ekziston një hapësirë shumë më e madhe për marrëdhëniet ekonomike. Një nga kërkesat e mia për Kryeministrin Wen Jiabao ishte që ai dhe qeveria e tij të inkurajojnë biznesin kinez që të investojë në Shqipëri, duke e siguruar se Shqipëria, përveç një mjedisi miqësor, ofron edhe potenciale të mëdha për investitorët kinezë në fushën e ujërave, energjisë, ndërtimit të hidrocentraleve, në fushën e minierave, turizmit, manifakturës etj..
Në këtë kontekst dhe si një stad i ri në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, unë shpreha mendimin se është e domosdoshme të arrihet të nënshkruhet marrëveshja e partneritetit strategjik mes dy vendeve tona, marrëveshje të cilën Republika Popullore të Kinës e ka firmosur me BE-në, vendet e BE-së dhe një seri vendesh të tjera mike. Kryeministri Wen Jiabao e mirëpriti kërkesën dhe e quajti plotësisht të arsyeshme. Në prani të delegacionit shqiptar, Kryeministri Jiabao i kërkoi ministrit të Ekonomisë dhe Tregtisë të nisë sa më shpejt procedura për arritjen e një marrëveshjeje të tillë. Sikundër më siguroi se do të nisë ekipe për të studiuar të gjitha potencialet e mundshme të bashkëpunimit dhe për investime të biznesit kinez në vendin tonë.
Pasi e njoha Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës me arritjet ekonomike të Shqipërisë dhe reformat që ne kemi ndërmarrë, theksova se për Shqipërinë infrastruktura e prapambetur, e trashëguar përbën një problem madhor në zhvillimin e saj dhe se ne jemi ndoshta e vetmja qeveri në Europë që jemi të detyruar, për shkak të kësaj prapambetjeje të trashëguar, të angazhojmë 32 për qind të buxhetit në investime publike, në mënyrë që ta ripërtërijmë atë sa më shpejt. Në këtë kontekst, kërkova që të shqyrtohet mundësia e një kredie të butë koncensionale për Shqipërinë në drejtim të infrastrukturës, por edhe të modernizimit të fushave të caktuara, si informatika apo fusha të tjera ku Kina po avancon shumë. Kryeministri Wen Jiabao pranoi për akordimin Shqipërisë të një kredie të tillë. Qëllimi ynë është që me këtë kredi, së bashku me kreditë e buta të ofruara nga vende të tjera mike si qeveria japoneze, nga fondi Kuvajtjan etj., të mobilizojmë sa më shumë fonde për rrugët dytësore, kanalizimet, ujërat e zeza, ujësjellës, në mënyrë që të modernizojmë infrastrukturën tonë, në një kohë sa më të shkurtër të mundshme.
Shqipëria dhe Kina kanë pasur në të kaluarën lidhje të fuqishme. Kina e ka ndihmuar Shqipërinë, sepse në mbarë vendin janë ndërtuar dhjetëra e qindra uzina e fabrika, në të cilat shqiptarët, me punën e tyre, kanë siguruar jetesën. Një ditë, kur Kina u shkëput nga kursi aventuresk i Cian Cin-it dhe Lin Biao-s dhe përqafoi kursin e reformave të Ten Xiaopin-it, udhëheqja paranojake politike shqiptare e denoncoi atë si një superfuqi dhe në mënyrën më mosmirënjohëse ndërseu megafonat e shpifjes e të mashtrimit kundër tyre. Natyrisht, edhe në vitin 1996 unë e sigurova Presidentin e Kinës dhe tani Kryeministrin e saj se shqiptarët ruajnë mirënjohjen për ndihmën që kanë marrë nga Republika Popullore e Kinës dhe nuk pajtohen kurrë me mosmirënjohjen dhe paranojën e udhëheqjes së tyre. Por, theksova se në të shkuarën Cu En Lai ka vizituar tre herë Shqipërinë dhe se shqiptarët presin me kënaqësi vizitën e Kryeministri Wen Jiabao, në Shqipëri. Kryeministri e priti me shumë kënaqësi ftesën dhe më siguroi se do ta vizitojë Shqipërinë.
Gjatë qëndrimi në Kinë, unë mora pjesë në një takim shumë të rëndësishëm të Frankofonisë, ku ishin të pranishëm shumë kryetarë shtetesh dhe kryeministra të vendeve frankofone. E shfrytëzova këtë takim për të paraqitur para tyre problematikën dhe kontributin që ata mund të japin për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, duke njohur pavarësinë e Kosovës.
Në takimet e mia në Republikën Popullore të Kinës, një vend të veçantë kanë zënë takimet me kompanitë e mëdha kineze të telekomunikacionit, të prodhimit të makinave etj..
Në përfundim, mund të them se ishte një vizitë të paharrueshme si për shfaqjen që ndoqa në stadiumin “Foleja e zogjve”, ashtu edhe për takimet që pata gjatë pritjes që shtroi Presidenti Hu Jintao, takimin shumë të rëndësishëm zyrtar me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës Wen Jiabao.
Unë dua t’u shpreh edhe një herë falënderimet më të përzemërta për të gjitha ndjenjat miqësore dhe problematikën për të cilën diskutuam dhe ramë dakord.