Kryeministri Berisha mbi konfliktin midis Gjeorgjise dhe Rusise: Rusia po përpiqet të krijojë Bashkimin Sovjetik

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, Kryeministri Berisha u prononcua për konfliktin ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë. Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
“Qeveria shqiptare shpreh mbështetjen e plotë totale për integritetin dhe sovranitetin e Gjeorgjisë. Ajo që po ndodh është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë. Kjo është qartësisht një përpjekje drejt krijimit të Bashkimit Sovjetik. Është një shfaqe e ekspansionizmit rus ndaj një vendi të vogël. Rusia ka dyndur forcat e saj ushtarake ndaj një vendi të lirë, ndaj një vendi demokratik dhe unë natyrisht uroj që ky konflikt të zgjidhet sa më parë, por i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar për një reagim të fuqishëm, për të ndalur këto sulme ndaj një vendi të lirë, për të garantuar sovranitetin dhe integritetin e këtij vendi demokratik.
Nuk mund të përdoren minoritetet për ndërhyrje ushtarake sepse kudo ka pakica dhe në se përdoren pakicat, në se përdoret forca ushtarake, atëherë rendi ndërkombëtar është në rrezik të madh. Ky është komenti i qeverisë shqiptare.”