Kryeministri Berisha pritet në audiencë nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, zoti Wen Jiabao
- Kryeministri kinez, z. Wen Jiabao, pranon ftesën dhe do të vizitojë Shqipërinë.
- Shqipëria dhe Republika Popullore e Kinës do të nënshkruajnë një marrëveshje partneriteti strategjik për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik.
- Gjithashtu, qeveria kineze do të japë një kredi të butë për Shqipërinë, në mënyrë që ajo të rimëkëmbë infrastrukturën e saj.
Kryeministri Berisha u prit sot në audiencë nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Z. Wen Jiabao, në një takim të përzemërt. Në takim ishte i pranishëm dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Z. Ylli Pango.
Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, duke theksuar se është takimi i parë i tij me një mik të vjetër të Kinës. Kryeministri kinez u interesua për impresionet e Kryeministrit Berisha për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, për të cilat Kryeministri shqiptar u shpreh se ishte një ceremoni magjike, në lartësinë e kombit të madh kinez dhe një organizim i përsosur.
Kryeministri kinez Jiabao shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë te mira, me perspektivë shumë optimiste për bashkëpunimin dypalësh. Kryeministri Berisha theksoi nga ana e tij se e konsideronte shumë të rëndësishme miqësinë me Kinën. Kam qenë këtu, në vitin 1996, tha kryeministri, me dy qellime; Qëllimi i parë, të falënderonte kombin kinez për ndihmën ndaj Shqipërisë, duke hapur dhjetëra e qindra fabrika ku u punësuan dhjetëra e mijëra njerëz, por që qeveria e atëhershme u tregua mosmirënjohëse dhe e mbylli vendin në një izolim ekstrem, duke mos ndjekur kursin e reformave të Kinës që ndërmori Ten Xiaopin.
Qëlllimi i dytë, vijoi Kryeministri, ishte vendosja e marrëdhënieve dypalëshe në një stad të ri.
Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës Jiabao tha se këtë vit do të jetë 60 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, duke shprehur kënaqësinë që marrëdhëniet janë në një nivel shumë të lartë dhe duke ndarë të njëjtin mendim se ato duhen të çohen më tej. Kryeministri Berisha tha se në të shkuarën, Kryeministri Cu En Lai vizitoi 3 herë Shqipërinë. Ka ardhur koha që në 60 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, shqiptarët të mirëpresin Kryeministrin kinez, si një kulminacion i marrëdhënieve, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Jiabao pranoi ftesën me kënaqësi dhe tha se do të vizitonte Shqipërinë sapo të krijohej mundësia. Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës Jiabao tha se e gëzonte progresi ekonomik i Shqipërisë, nën lidershipin e Kryeministrit Berisha.
Në takim, Kryeministri Berisha vuri në dukje se Kina po njeh progres të madh dhe kjo është e rëndësishme jo vetëm për Kinën por për tërë planetin. Kryeministri kinez Jiabao tha se do të inkurajojë biznesin kinez për të investuar në Shqipëri dhe se do të dërgojë shumë shpejt një ekip që të vlerësojë fushat me interes për investimet kineze.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha tha se ishte e rëndësishme mbulimi dhe garantimi i investimeve kineze nga institucionet financiare kineze, ndërkohë që Shqipëria do të ofrojë lehtësira të mëdha për biznesin kinez, si për shembull zona të lira ose parqe industriale, të cilat po ndërtohen këtë vit në Shqipëri.
Më tej, kryeministri Berisha foli për potencialet energjitike, hidrike, minerale, infrastrukturore të vendit tonë dhe Kryeministri kinez tha se këto fusha janë më me rëndësi për investimet.
Kryeministri Berisha u shpreh se do të ishte me rëndësi një marrëveshje partneriteti strategjik dypalësh që do të nxiste bashkëpunimin ekonomik. Kryeministri kinez Jiabao tha se kjo ekzitonte me Bashkimin Europian dhe mund të bëhej dhe me Shqipërinë. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për grantin e qeverisë kineze, i cili i është dhënë Shqipërisë dhe kërkoi mundësinë për një kredi të butë që do të shkonte në rimëkëmbjen e infrastrukturës që ka trashëguar Shqipëria. Kjo gjë, theksoi ai, do të vlerësohej shumë nga qeveria shqiptare.
Në këtë drejtim, Kryeministri kinez u përgjigj se qeveria e tij është e gatshme dhe e konsideron të mundshme t’i japë një kredi të butë Shqipërisë, në mënyrë që ajo të rimëkëmbë infrastrukturën e saj.
Biseda u ndal edhe në çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimeve në rajon, ku Kryeministri Berisha u shpreh se Kosova nuk ka qenë pjesë e Serbisë, por e Serbisë së Madhe dhe se njohja e saj është kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri kinez u shpreh se Kina respekton të drejtën dhe vullnetin e popujve dhe ajo mendon se çështja e Kosovës duhet të zgjijdhet nëpërmjet dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.