E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, në një interviste për CRI, shpreh vlerësimet për mikpritjen e Lojërave Olimpike “Pekin 2008”

Në një interviste për Radio Kina Internacional (CRI), Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet për punën përgatitore, organizimin dhe mikpritjen e Lojërave Olimpike “Pekin 2008”. Ne kete interviste, kryeministri u shpreh:

"Këto lojëra parashikohen të jenë në madhështinë e vendit që i organizon. Një vend me një të shkuar të madhe, të sotme dhe të ardhme të madhe. Jam i sigurt që këto i meritoni dhe i them me gjithë zemër.

Ju e dini që unë vij këtu për herë të tretë. Dhe unë i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në vendin tuaj të madh. Kina po përfaqëson sot eksperimentin më të madh të ndryshimit në botë dhe në këtë kontekst, gjej gjithmonë ndryshime befasuese në çdo udhëtim timin. Unë bëra një udhëtim të shkurtër për në hotelin e afërt. Pashë ndryshime të jashtëzakonshme. Por dua të theksoj një moment shumë të rëndësishëm. Adhurova dhe përpjekjen e urbanistëve të Pekinit për të ruajtur hapësirën e gjelbër. Ndërtime ultramoderne, grataçela të shumta, por edhe hapësira e gjelbër, jetike për qytetarët, m'u duk e ruajtur dhe e fuqishme.

Mikpritja kineze është e përsosur, por mendoj se po në këtë lartësi janë të gjitha terrenet, i gjithë organizimi, i gjithë trajtimi, pra, çdo gjë tani ecën me një përsosmëri të vërtetë.

Në këtë edicion të Lojërave Olimpike unë kam kënaqësi që ne marrim pjesë me një delegacion të vogël, prej 11 sportistësh, por është më i madhi që shqiptarët kanë pasur ndonjëherë në një olimpiadë. Janë sportistë me veti të shquara, në mundje, në ngritje peshash, në qitje etj.. Unë shpresoj se ata do të sjellin në Shqipëri medaljet që meritojnë, ndonëse garat këtu janë shumë të forta. Por edhe ata janë shumë të përgatitur.

Urimi im është "Suksese sa më të mëdha në këtë olimpiadë", dhe ky është urimi i të gjithë shqiptarëve.

I përshëndes, i falënderoj përzemërsisht për vëmendjen që kushtojnë dhe të urojmë së bashku që përfaqësuesit tanë të plotësojnë dëshirat tona.

Unë mund të pohoj që shqiptarët janë një komb shumë sportdashës. Kryeministri i tyre është një ndër sportdashësit e atij vendi, që ndjek me shumë kënaqësi futbollin, atletikën ... Unë jam tifoz në një mënyrë të veçantë, i atyre që luajnë më mirë, çka do të thotë se tifozllëku im brenda lojës ndryshon gjatë gjithë kohës, sipas skuadrës që dominon.

Ajo ishte një ndeshje e madhe shumë, në të cilën Greqia erdhi si mbretëreshë në Tiranë dhe u largua si princeshë, humbi kurorën, la kurorën në Tiranë.

Sigurisht ka shumë sportistë që unë vlerësoj. Kemi një boksier, Qaton, i cili është kampion Evrope dhe nënkampion bote. Por kam simpati për të gjithë sportistët që performojnë lart. Më mahnit dhe më tërheq shumë performanca e tyre, është rezultante e një kompleksi rrethanash që i çojnë ata të arrijnë në saktësi, në performancë të lartë. Po kështu unë vlerësoj shumë edhe mundësit, peshëngritësit, qitësit shqiptarë, që po bëjnë një emër evropian e botëror. E vërteta është që Shqipëria ka futbollistë shumë të mirë, dhe në momente të caktuara ata i kanë dhënë pubikut shqiptar e evropian ndeshje shumë dinjitoze.

Edhe unë e pëlqej shumë e i uroj suksese në këtë olimpiadë, të na kthehet me medalje, me faqe të bardhë.

Prania në një çast të tillë është një moment shumë solemn i jetës sime. Olimpiada, më shumë se çdo gjë tjetër, është simbol paqeje e mirëkuptimi. Por dua të them se edhe zhvillimi i Olimpiadës në Pekin, është për mua i një rëndësie të veçantë.

Për mua ishte një kënaqësi e madhe të shprehja falënderimin dhe të garantoja autoritetet kineze se unë jam i vendosur të punoj për t'i vendosur marrëdhëniet tona miqësore në një bazë të re. Të dy vendet tona kanë hyrë në procese transformimesh të mëdha. Ndaj edhe kam shumë kënaqësi që nesër do të takoj kryeministrin kinez. Do ta ftoj që të vizitojë Shqipërinë. Kjo është hera e tretë që unë vij në Kinë. Kemi pasur vizitorë të lartë, mysafirë shumë të lartë nga Kina. Ajo që më pëlqen shumë tani është se po rritet gjithnjë e më shumë interesi i kompanive kineze për Shqipërinë. Unë do të punoj pa u lodhur që marrëdhëniet tona, në një bazë të re, të njohin zhvillime të mëdha e të reja.

Unë mendoj se Kina e Shqipëria po ecin me shpejtësi në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe se të dy vendet kanë një hapësirë shumë të madhe dhe të gjerë bashkëpunimi. Unë ndjek me shumë interes të gjitha zhvillimet në Kinë. Kam qenë këtu në vitin 2004. Kina ka zhvilluar edhe zgjedhje lokale. Unë jam i bindur që ky vend do të ecë gjithnjë e më shumë drejt zgjerimit të lirive, krahas lirive ekonomike, lirive politike dhe lirive të tjera. Pra unë shoh se Kina ka një të ardhme të shkëlqyer, të madhe dhe Shqipëria ka një mik të çmuar.

Sigurisht të dy palët së pari mund të përdorin potencialet e mëdha që ka njëra dhe tjetra. Kina është një vend i madh, një treg i madh, në të cilin investitorët shqiptarë mund të gjejnë potenciale shumë të mëdha. Shqipëria është një vend i vogël, por e vendosur në një treg shumë të madh siç është tregu evropian, në të cilin investitorët kinezë mund të prodhojnë e të shesin në mbarë Evropën.

Së dyti, mund të përfitojmë nga eksperienca e njëri-tjetrit në reformat ekonomike. Së treti, Shqipëria ka një qëndrim të qartë të politikës së një Kine dhe nuk lëviz nga ky qëndrim. Ne ndjekim me shumë respekt qëndrimet paqësore të Kinës për zgjidhjen e problemit. Vërtet sistemet nuk janë të njëjta, por gjykoj se sistemi kinez është në evolucion e sipër. Ky është besimi im".

Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon një vizitë në Kinë, një ditë më parë ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Pekin 2008”. Para hapjes së Olimpiadës, Kryeministri Berisha ka përshëndetur, në një pritje në selinë e ambasadës shqiptare në Pekin, ekipin olimpik shqiptar, pjesëmarrës në këto Lojëra. 

Gjatë pritjes të dhënë nga Presidenti kinez Hu Jintao për nder të të ftuarve në ceremoninë e hapjes së këtyre Lojërave, Kryeministri Berisha është takuar dhe ka biseduar me personalitete të larta botërore.

Gjithashtu gjatë qëndrimit në Pekin, Kryeministri është takuar me drejtues të kompanive prestigjioze kineze. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›