Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në Koorporatën më të madhe kineze në fushën e telekomunikacionit Huawei
Kyreministri Berisha zhvilloi një vizitë në ambientet e Koorporatës më të madhe kineze në teknologjinë digjitale, të telefonisë dhe fibrave optike, Huawei. Kryeministri Berisha u prit nga Xiao Yong Shun, Drejtor i Përgjithshëm dhe Hero Wang, Zëvendëspresident.
Huawei është kompania më e madhe e kësaj fushe në Kinë dhe një nga tre më të mëdhatë në botë. Kjo kompani ka 70 përqind të tregut në Kinë me mbi 90.000 të punësuar dhe bashkëpunon me 50 kompanitë më të mëdha telefonike në botë. Huawei shfrytëzon kryesisht burimet njerëzore lokale.
Zëvendëspresidenti Hero Wang e falenderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij dhe të qeverisë në zgjerimin e aktivitetit të tyre në Shqipëri, ku kjo kompani bashkëpunon me kompani shqiptare të telefonisë mobile dhe ku synon të fusë frymën më të re dhe logjistikën më të avancuar në telefoni, si dhe qeverisjen elektronike.
Drejtuesit e kompanisë u shprehën shumë të kënaqur me shpejtëinë me të cilën në 6 muaj filluan shtrirjen e aktivitetit të tyre, për seriozitetin e stafit dhe institucioneve në këtë fushë dhe për klimën e favorshme të biznesit në vend. Ata theksuan se përpjekjet e Kryeministrit dhe qeverisë për të çuar Shqipërinë në moshën digjitale ju shton besimin se mund të punojnë shumë mirë dhe mund të rrisin pjesëmarrjen e tyre.
Kryeministri Berisha u ndal në klimën e favorshme të biznesit, vendosjen e taksës së sheshtë 10 për qind, potencialet e mëdha që ofron Shqipëria në fusha të ndryshme, nismat e qeverisë për shtrirjen e internetit dhe të qeverisjes elektronike etj..
Kryeministri u shpreh se Shqipëria nuk është një treg i madh, por është dinamik dhe me ambicje të mëdha, ndaj bizneset kineze duhet të shohin tek Shqipëria një vend ku mund të prodhojnë dhe ku të gjejnë mundësinë e një tegu të madh si ai i Bashkimit Europian.