Kryeministri Berisha diskuton me personalitete të larta në takimin e Frankofonisë për pavarësinë e Kosovës

Gjatë qëndrimit në Pekin, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin e Frankofonisë (OIF). Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Frankofonisë, zoti Abdou Doiuf, të pranishëm në këtë takim ishin Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik zoti Jacque Rogge, Presidenti i Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike të Pekinit, z. Liu Qi, si dhe përfaqësues të lartë të 62 vendeve anëtare të kësaj organizate.
Qëllimi i këtij takimi ishte promovimi i vlerave dhe përhapjes së gjuhës frënge dhe mbështetja për forcimin e mëtejshëm të saj. Pjesëmarrësit në takim falënderuan Komitetin Ndërkombëtar Olimpik për përzgjedhjen, edhe këtë vit, të gjuhës frënge si gjuhë e Olimpiadës, së bashku me atë angleze. Me këtë rast, Kryeministri pati një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Frankofonisë, zotin Abdou Doiuf, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit reciprok, në kuadër të organizatës.
Gjatë këtij aktiviteti, Kryeministri Berisha u takua me shumë homologë dhe përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse, ku diskutoi rreth zhvillimeve në vendet respektive, marrëdhëniet bilaterale, si dhe mundësitë e forcimit të bashkëpunimit me këto vende.
Kryeministri pati një takim me ish Kryeministrin e Japonisë, zotin Joshiro Mori, të cilin e falënderoi për takimin miqësor mes tyre gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Japoni, si dhe për mbështetjen e dhënë për Shqipërinë. Kryeministri takoi edhe ish Kryeministrin francez Jean Pierre Raffarin, Presidentin e Zvicrës, Kryeministrin e Guinesë, etj.
Gjithashtu, Kryeministri u takua edhe me shumë liderë afrikanë, me të cilët diskutoi për zhvillimet në rajon, duke u ndalur veçanërisht në pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimet atje. Kryeministri u shpreh për mundësinë e këtyre vendeve për të njohur pavarësinë e Kosovës, duke kontribuar kështu në paqen dhe stabilitetin e rajonit. Kosova, tha Kryeministri, e njohur si shtet i ri, në një kohë të shkurtër, nga 44 vende, është faktor paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi në rajon dhe ajo po ecën e sigurt drejt rrugës së integrimit.
Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit edhe me zhvillimet në Shqipëri, ecurinë e reformave integruese, ndërsa mori vlerësimet e tyre për zhvillimet e mëdha ekonomike, ndryshimet e dukshme dhe arritjet, veçanërisht në vitet e fundit të qeverisjes së kryesuar nga Kryeministri Berisha.