Kryeministri Berisha siguron mbështetjen e qeverisë për kompanitë prestigjioze kineze

Në ditën e tretë të vizitës së tij në Pekin, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Drejtorin e Kompanisë Kombëtare të Materialeve të Ndërtimit SINOMA GROUP, zotin Tan Zhongming si dhe me Inxh. Si Guochen, Drejtor Nderi i saj.
SINOMA GROUP, Kompania Kombëtare e Materialeve të Ndërtimit të Kinës, ka hapur tashmë filialin e saj të rëndësishëm në Shqipëri, CMBI, në fushën e prodhimit të çimentos në Fushë-Krujë dhe po vazhdon me sukses aktivitetin e saj.
Përfaqësuesit e lartë të kësaj kompanie mjaft të fuqishme në Kinë e falënderuan Kryeministrin Berisha për përkrahjen dhe ndihmën që ka treguar në zgjerimin e aktivitetit të saj në Shqipëri, si dhe shprehën vlerësimet maksimale për zhvillimin me ritme të shpejta të ekonomisë shqiptare dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.
Ata theksuan se në Shqipëri ndihet qartë një klimë shumë e favorshme si nga qeveria shqiptare, ashtu dhe nga vetë shqiptarët, për biznesin ndërkombëtar, fakt ky që ka nxitur rritjen e investimeve në Shqipëri dhe ka sjellë një perspektive të qartë e optimiste për investime të mëtejshme.
Kryeministri Berisha i falënderoi drejtuesit e lartë të SINOMA GROUP për prezencën e tyre dhe punën për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë, si dhe i siguroi ata se qeveria shqiptare do të tregojë një vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme për kompani të tilla prestigjioze nga vendi mik.
Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha i njohu përfaqësuesit e biznesit me ecurinë e reformave ekonomike në vend, me lehtësitë që u ofron një sistem i favorshëm fiskal si yni, me kushtet e favorshme të krahut të punës në vendin tonë, si dhe me perspektivën shumë të mirë që ka Shqipëria, duke qenë kaq pranë një tregu të madh si ai europian.
Drejtori i SINOMA GROUP uroi që sportistët shqiptarë të kenë sukses e të kthehen me medalje në Shqipëri, ndërsa Kryeministri shprehu vlerësimin maksimal për organizimin me nivel shumë të lartë, për magjinë dhe perfeksionin e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike “Pekin 2008”, e cila u zhvillua një ditë më parë.