Deklaratë e Ministrit të Bujqësisë , Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, z.Jemin Gjana
Jam sot këtu për t`ju përçuar zhvillimet e javës së fundit për bujqësinë dhe përpjekjet e qeverisë për nxitjen e agrobiznesit.
Do të veçoja së pari kalimin në parlament javën e fundit të Ligjit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, ligj i cili në votimin e tij në parlament mori vetëm një votë kundër,çka do të thotë se mori një miratim unanim, që flet për një vullnet më të zgjeruar politik për të adresuar më shumë vëmendje dhe mbështetje për bujqësinë. Thelbi i ligjit përbëhet nga tre elementë të rëndësishëm. Së pari, përpjekja e këtij ligji fondamental për bujqësinë për të përafruar legjislacionin tonë me atë komunitar. Së dyti, detyrimet që vendos ligji për strukturat e ekzekutivit dhe legjislativit shqiptar dhe të institucioneve të tjera për të adresuar mbështetje bazuar në standartet dhe principet europiane për bujqësinë. Së treti, krijimin e një institucioni shumë të rëndësishëm sic është Agjencia e Pagesave për Bujqësinë, institucion që do të krijohet bazuar në këtë ligj, nën certifikimin e Bashkimit Evropian dhe do të akreditohet përfundimisht nga Bashkimi Evropian. Ky do të jetë institucioni bazë që do të studjojë, hartojë, kërkojë dhe implementojë fonde komunitare për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Dy projekt-ligje të tjera të rëndësishme që prekin në mënyrë të drejtëpërdrejtë bujqësinë janë kaluar këto ditë në Këshillin e Ministrave. Njëri është ligji për buxhetin 2008. Ky ligj është i rëndësishëm për bujqësinë pasi për herë të parë në buxhetin e vitit 2008, vlera financiare si grand për fermerët shqiptarë rritet nga 5 milionë dollarë që ishte në vitin 2007, në 11 milionë dollarë për 2008, ose pak më shumë se dy herë më e lartë. Kjo është shenjë e shtimit të vëmendjes së qeverisë shqiptare për bujqësinë. Vec kësaj janë edhe 25 milionë dollarë të tjerë investime për bujqësinë në 2008, në ujitje dhe kullim kryesisht. Ndërkohe, bazuar në decentralizimin që po bën qeveria shqiptare, rreth 2 milionë dollarë do të adresohen nga buxheti i MBUMK tek buxheti i bashkive e komunave për të zbatuar studimet e MBUMK për ngritjen e rrjetit të tregjeve dhe thertoreve në gjithë vendin.
Pas konsultimesh e takimesh të shumta me gjithe aktoëet e grupet e interesit që kemi patur unë dhe ministri i financave, Këshilli i Ministrvae miratoi këto ditë edhe ligjin për TVSH-në në bujqësi. Dua të qartësoj, pasi ka edhe komente të gabuara nga padija, se ligji për TVSH-në nuk është një taksë për bujqësinë por përkundrazi, fermerët do të përfitojnë një vlerë 6 %. Kjo shumë përbën vlerën e TVSH që duhet t’ua kthejmë fermerëve sepse ata kur blejnë produkte e mallra që i fusin në proces për të prodhuar në bujqësi dhe blegtori sic janë farërat, fidanat, pesticidet, kimikatet, plehrat kimike, ushqimet dhe ilacet për blegtorinë, paguajnë TVSH. Sejcili prej tregtarëve ua shet fermerëve me TVSH këto produkte. Këtë pjesë që është e përllogaritur që kap një vlerë prej 6 %, ne e bëjmë pjesë të cmimit të shitjes. Ky 6 % do t’u rimbursohet të gjithë tregtarëve dhe agro-përpunuesve që blejnë produkte bujqësore e blegtorale tek fermerët shqiptare. Në zbatim të këtij ligji, MBUMK po përgatit një kod për sejcilin fermer. Ky ligj është një përpjekje shumë e madhe për ta formalizuar prodhimin bujqësor, për të formalizuar marrëdhëniet e tregut dhe të bujqësisë. Ky ligj nuk bën fjalë për disa fermerë të vecantë që u pëlqen të shesin në mënyrë të drejtëpërdrejtë tek konsumatori individualisht. Kjo praktikë do të funksionojë për ato që merren me tregti dhe agropërpunim. Kjo do të bëhet e zbatueshme në vitin 2008.
Së fundi, po e konsideroj një ngjarje shumë të rëndësishme, unë po vij nga një panair i prodhimeve bio shqiptare që po zhvillohet para qendrës së kulturës Pjetër Arbnori në Tiranë. Ky panair organizohet për herë të parë nga MBUMK dhe shoqata puljeze e prodhimeve bio. Kjo tregon se një numër shumë i madh fermerësh i janë kthyer jo vetem prodhimeve konvencionale në bujqësi por dhe prodhimeve bio. Produktet shqiptare janë më të pastra sepse përdoren më pak kimikate e plehra. Prodhimet bio në Shqipëri nuk zënë ndonjë peshe shume të madhe, por është sinjifikative por bën pjesë në atë skemë ku ne duhet të synojmë për tu bërë pjesë e tregjeve europiane. Ne s’bëhemi dot pjesë e tregjeve europiane me produkte masive, por me prodhime që nuk mund të prodhohen kudo. Të gjithë prodhuesit e prodhimeve bio në Shqipëri janë pjesë e tregjeve të vendit dhe janë të çertifikuar nga trupa çertifikimi ndërkombëtare.