E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Ligji i legalizimeve do të amendohet për përcaktimin e afateve dhe sanksioneve që lidhen me procesin

Kryeministri Berisha nënvizoi sot gjatë mbledhjes së KRRTRSH-së nevojën për amendimin e ligjit të legalizimit, për përcaktimin e qartë të afateve dhe sanksioneve që lidhen me këtë proces. 

Kryeministri theksoi se ligji ekzistues me gjithë përpjekjet e mëdha që janë bërë në thjeshtimin e burokracisë sërish imponon burokraci të panevojshme dhe nuk parashikon qartësisht penalitetet për ata që nuk i përgjigjen ligjit, amendime të cilat janë të domosdoshme.
 
“Në këtë kontekst ALUIZNI dhe ministria përkatëse duhet të përgatisin me shpejtësi kuadrin ligjor dhe amendimet e kuadrit ligjor ekzistues. Është e domosdoshme që amendimet ligjore të pasqyrojnë atë eksperiencë të pasur në shkallën që ajo mund të pasqyrohet. Është e domosdoshme që amendimet ligjore të përcaktojnë sanksione të qarta”, deklaroi Kryeministri.   

Kryeministri nënvizoi se ata që kanë zënë pronat e të tjerëve duhet të respektojnë afatet për pagimin e tarifave të legalizimit, të ardhura të cilat do të përdoren për kompensimin e pronarëve dhe për urbanizimin e këtyre zonave informale.  

“Pagesa e tarifave në kohë dhe sanksionet nga mospagesa duhet të jenë përcaktime shumë të qarta ligjore të amendimeve që vijnë. Ai që ka zënë pronën e tjetrit do të përgjigjet në afatin e caktuar kohor për tarifën e legalizimit sepse ato para nuk janë të qeverisë; ato para janë të atij që i është zënë prona dhe për të bërë urbanizimin e këtyre zonave”, u shpreh Kryeministri Berisha.   

E rëndësishme, vijoi më tej Kryeministri, është që të ardhurat që do të mblidhen nga  2/3 e sipërfaqes së zonës informale do të përdoren për 2 qëllime; për kompensimin e pronarëve duke vendosur në fondin e kompensimit të pronarëve një sipërfaqe të madhe publike të zënë, por që merr një shumë jo të vogël prej saj; dhe për urbanizimin  e këtyre zonave për sjelljen e tyre në standardet urbane. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›