E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: ARMO dhe Albpetrol duhet të vendosin standarde për eliminimin e ndotjes


 
Kryeministri Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë se kompanitë ARMO dhe Albpetrol do të shkojnë deri në mbyllje të veprimtarisë së tyre në rast se nuk i japin fund ndotjes së mjedisit në rrethin e Fierit. 
Kryeministri informoi se u ka kërkuar drejtorit të ARMO-s dhe drejtorit të Albpetrol të paraqesin sa më parë programin e detajuar për të gjitha hapat që ata do të ndërmarrin për eliminimin e ndotjes së ambientit në zonat ku kryejnë aktivitetin e tyre.  
 
“Tre javë më parë kam thirrur në zyrë drejtorin e Albpterol, Drejtorin e ARMO-s dhe në mënyrë ultimative u kam kërkuar atyre të më sjellin programin e detajuar konkret të të gjithë hapave për t`i dhënë fund ndotjes së tmerrshme që i krijojnë atij rrethi dhe atij qyteti. Absolutisht do të shkojnë deri në mbyllje të veprimtarive të tyre në rast se ata nuk vendosin të gjitha standardet për të mbrojtur qytetin nga ndotja”, u shpreh Kryeministri 
 
Gjithashtu Kryeministri nënvizoi se këto dy kompani nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveçse të vendosin standarde të ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit nga ndotja, aq më tepër kur ato i kanë të gjitha mundësitë financiare për ta bërë një gjë të tillë.  
 
Nuk mund të tolerohet, vijoi më tej Kryeministri që ato dy ndërmarrje ta trajtojnë mjedisin në mënyrë barbare siç është bërë deri më sot.
 
Kryeministri u shpreh se vendi ynë nuk e ka më atë psikologji dhe nuk mund të diktohet më nga parime që bien totalisht ndesh me interesat jetike të qytetarëve.
 
Më tej Kryeministri i kërkoi kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo që të bëjë monitorimin dhe mbikqyrjen për parametrat e ndotjes për të vlerësuar ndryshimin e situatës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›