KRRTRSH miraton studimin urbanistik pjesor për zonën turistike të Velipojës
-Kryeministri Berisha: Do të bëhet ligj i veçantë për ndërtimet pa leje në bregdet
Këshilli i Rregullimit të Territorit i Republikës së Shqipërisë miratoi sot studimin urbanistik pjesor në territorin me sipërfaqe 6.250 m2 për zonë shërbimesh në zonën turistike Velipojë, studimin urbanistik pjesor në territorin me sipërfaqe 19.500 m2 për zonën hoteliere, në zonën turistike Velipojë si dhe mori në shqyrtim pikën për rishikimin e studimit urbanistik pjesor në territorin me 12.700 m2 në zonën turistike Velipojë (miratuar me vendimin e KRRTRSH-së, nr.8 datë 16.09.2000).
Kryeministri Berisha në fjalën e tij e cilësoi këtë studim si mjaft të arrirë ndërkohë që nënvizoi se duhen bërë disa ndërhyrje përsa u përket ndërtimeve pa leje në këtë zonë.
“Mendoj se studimi është i arrirë, por disa ndërhyrje duhen bërë sërish në Velipojë dhe unë konstatoj se disa nga ndërtimet pa leje që përfshihen në këtë zonë nuk mund të pengojnë në mënyrë absolute zbatimin e këtij plani”, u shpreh Kryeministri.
Duke u ndalur në këtë çështje Kryeministri u shpreh se ndërtimet pa leje në zonat bregdetare do të trajtohen me një ligj të veçantë pasi nuk mund të trajtohen në mënyrë të barabartë të gjitha zonat.
“Këto ndërtime pa leje nuk mund të legjitimohen pa ligjin e ri të legalizimeve, sepse nuk mund të jetë i njëjti ligj si për atë që ka pushtuar një tokë shumë të çmuar në bregdet dhe për atë që është vendosur në kënetë”, deklaroi Kryeministri.