Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë
Në këtë mbledhje ne shqyrtojmë një seri problemesh, por ajo ka si kryefjalë të saj miratimin e kufijve të zonave informale si një vendim përcaktues për procesin e legalizimit. Ne shqyrtojmë dhe miratojmë sot 65 zona informale të shtrira në 8 qarqe të mëdha të vendit, që përfshijnë sipërfaqe rreth 8 mijë hektarë, afërsisht 80 mijë banesa, të cilat u përkasin më shumë se 74 mijë familjeve apo një popullate sipas certifikatave të gjendjes civile prej 310 mijë banorësh. Sipërfaqja e ndërtimit kati i parë i tyre pa rrethinat zë1900 hektarë dhe me një llogaritje minimale vendoset të hyjnë në tregun shqiptar një pasuri prej rreth 2 miliardë dollarësh, e cila rrin e ngrirë, një kapital që nuk prodhon kapital .
Në këtë mbledhje ne shqyrtojmë dhe miratojmë kufijtë për 65 zonat e para ndërkohë që 50 zona të tjera do të vijnë brenda nëntorit në Sekretarinë Teknike, e cila do t`i sjellë sa më shpejt për shqyrtim në KRRTRSH.
Ne jemi të vendosur të shpejtojmë këtë proces sepse zgjedhjet e tejzgjatura vendore dhe konstituimi me vonesë i këshillave të qeverisjes vendore ka përbërë një pengesë serioze.
Një ndihmesë shumë të çmuar për këtë proces përbën harta e fotografimit ajror, me një precizon shumë të lartë, e cila lejon ose bën të mundur që procesi të ecë me saktësi dhe shpejtësi.
Eksperienca e deritanishme ka nxjerrë në pah disa probleme që duhen zgjidhur me ligjin ekzistues, i cili mbingarkon jashtë kapaciteteve dhe mundësive reale qeverisjen vendore.
Ligji ekzistues me gjithë përpjekjet e mëdha që u bënë në thjeshtimin e burokracisë, sërish imponon burokraci të panevojshme dhe nuk parashikon qartësisht penalitetet për ata që nuk i përgjigjen ligjit, të cilat janë të domosdoshme. Në këtë kontekst ALUIZNI dhe ministria përkatëse duhet të përgatisin me shpejtësi kuadrin ligjor dhe amendimet e kuadrit ligjor ekzistues. Duhet të shfrytëzohet në maksimumin e mundshëm eksperienca e shkëlqyer e privatizimit në tetë muaj të 220 mijë apartamenteve. Kjo eksperiencë duhet të jetë frymëzuese për ALUIZNI-n dhe punonjësit e saj . Kjo eksperiencë është e dobishme dhe duhet të aplikohet pasi unanimisht kemi rënë dakord që procesi i urbanizimit është një proces i pashmangshëm, i cili do të realizohet pavarësisht nga çmimi i tij, pas legalizimit.
Është e domosdoshme që amendimet ligjore të pasqyrojnë atë eksperiencë të pasur në shkallën që ajo mund të pasqyrohet, është e domosdoshme që amendimet ligjore të përcaktojnë sanksione të qarta.
Ai që ka zënë pronën e tjetrit do të përgjigjet në afatin e caktuar kohor për tarifën e legalizimit sepse ato para nuk janë të qeverisë; ato para janë të atij që i është zënë prona dhe të atij që detyrohet t`i paguajë për të bërë urbanizimit e vendit ku jeton.
Pagesa e tyre në kohë dhe sanksionet nga mospagesa duhet të jenë përcaktime shumë të qarta ligjore të amendimeve që vijnë. Procesi duhet të ecë me shpejtësi dhe me vendosmëri.
I përgëzoj qarqet, që megjithë konstituimin e vonë që kanë patur dhe probleme të tjera i kanë trajtuar me përparësi këto zona kështu që të shpresojmë që të mund t`u japim një përgjigje përfundimtare këtyre zonave. KRRTRSH merr nw shqyrtim zonat mbi 5 hektarë , sepse zonat më të vogla janë në kompetencë të KRRT-ve.
Në kompleksitet për të njohur përmasat e këtij procesi shtrirja e tij është jashtëzakonisht e madhe. Nuk duhet gjykuar nga sipërfaqja që kanë zënë shtëpitë, por nga shtrirja e përgjithshme. Natyrisht 1/3 e ndërtimeve është në pronë të tjetrit, 1/3 ndërtim në pronën e të zotit që s`ka marrë lejen e ndërtimit, dhe 1/3 në tokë publike.
E rëndësishme është që të ardhurat që do të mblidhen nga 2/3 e sipërfaqes duhet dhe do të përdoren për 2 qëllime; për kompensimin e pronarëve duke vendosur në fondin e kompensimit të tyre një sipërfaqe të madhe publike të zënë, por që merr një shumë jo të vogël prej saj; dhe përdorimi i dytë do të jetë për urbanizimin e këtyre zonave dhe për sjelljen e tyre në standardet urbane.
Nuk mund të bëhet fjalë për tokë arë në rastet kur ato janë në qendra banimi. Lidhur me dendësinë e popullsisë unë mendoj se vija përcaktuese mund të ketë sipërfaqe të ndryshme. Në zonat më të diskutueshme ne duhet ta shqyrtojmë edhe njëherë këtë. Urbanistët kanë mbrojtur me të drejtë në rrafshin teknik urbanizimin para legalizimit. Ky koncept ka qenë katedral, i drejtë, por i pazbatueshëm sepse zbatimi i legalizimit në një zonë të paurbanizuar është i pamundur, sepse pasiguria sociale bëhet faktori kryesor që pengon urbanizimin. Praktikat e imponimit nuk kanë pasur sukses në zgjidhjen e këtij problemi madhor. Politika e përcaktuar ka qenë legalizim dhe më pas urbanizim. Kjo është bërë për arsyen e thjeshtë se pasi të njihet e drejta shteti ka procedurë tjetër veprimi me anë të të cilit të imponon zbatimin e ligjit.
Ky proces mund të jetë në të gjitha zonat urbane. Urbanizimi është jetik, është i domosdoshëm dhe i papengueshëm. Askush nuk i kundërvihet këtij procesi sepse dihet që kemi një procedurë ligjore të qartë prandaj prioritet i plotë është legalizimi, urbanizimi është i dyti. Ato qendra që do të legalizohen nuk mund të lihen në kaosin e tyre urban, por do të legalizohen mbi bazën e ligjeve dhe rregullave të urbanizimit. Për hapësirat, për të cilat ka plan studimi mendoj që ato duhet të përshtaten me këto plane. Ne kemi përjashtuar nga procesi i legalizimit të gjitha rastet kur ka proces gjyqësor. Por, legalizimi nuk hedh poshtë Planin e Përgjithshëm të Rregullimit në ato zona ku ekziston një plan të tillë.
Përsa i përket Tiranës, Tirana është bërë si sallatë, nuk ka një Plan të Përgjithshëm Rregullues ose ka një plan që e kanë shkelmuar me qindra herë gjatë këtyre 15 viteve. Ndërsa plani i Farkës është një plan që është miratuar para një viti e gjysmë këtu dhe mendoj se ky plan duhet të respektohet. E njëjta gjë do të bëhet edhe me Qesarakën pasi ne patëm marrë një vendim për ta ndaluar atje ndërtimin pasi po ndërtoheshin rrokaqielle.