Flamuri heton për spiunët e Sigurimit
Antena brenda familjes
Gazetari që merret me “Antenën” qe ngarkuar të bënte një shkrim për ligjin e dosjeve që u shty për miratim javën që vjen.
Pyeti së pari Aldo Bumçin në telefon.
- Si do shkojë puna me ligjin? - tha. - Çfarë do hiqni dhe çfarë do shtoni?
- Ne kemi qëndrimin tonë dhe nuk tërhiqemi nga ai qëndrim, - tha Aldo. - Ne do shtojmë të gjithë ata që mund të kenë lidhje me diktaturën dhe krimet. Natyrisht, ne jemi brez i ri, por ne e kuptojmë se kush ka qenë i lidhur me krimin nga mënyra se si sillen tani me qeverinë. Ata që janë kundër kësaj mazhorance, dihet që kanë lyer duart me gjak.
- Po këto të medias publike pse i shtuat apo doni të hiqni Petrit Becin me Antoneta Maljan?
- Nuk është e vërtetë aspak. Ne nuk merremi me emra konkretë, ne kemi parasysh vetëm sjelljet që ata kanë ndaj qeverisë sot. Ai është një kriter që na nxjerr në dritë, pasi dihet që ata që janë kundër kësaj mazhorance, kanë lyer duart me gjak. Me të tjerët nuk kemi punë.
- Po nga PD a ka të dhëna kush ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit?
- Ata që janë kundër kësaj mazhorance, dihet që kanë qenë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, - tha Aldo. - Por ne po i seleksionojmë me kujdes.
Kjo e nxiti reporterin tonë të “Antenës” të shkonte te Flamuri.
E gjeti bashkë me rojën e parkingut duke sistemuar një vandak të madh me dokumente në ca qese plastike të plehrave, të cilat ia ngarkonte rojës për t’i djegur poshtë te parkingu.
- Tungjatjeta mixhë. ǒka bërë vaki, po ndërron zyrë?
- Ja ashtu, - i tha Flamuri dhe vazhdonte të ngjishte thasët me letra.
- Për më lart a për më poshtë po seleksionon? - e pyeti reporteri.
- Po i bëj gati të dy variantet, - tha Flamuri. - Siç ka thënë ai burri “ata që janë kundër kësaj mazhorance, dihet që kanë qenë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit”.
- E kuptova, - tha reporteri. - Po ai burri e ka akuzuar Azem Hajdarin si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Mund ta pësojë kjo gruaja e tij në gjykatë nga kjo?
- E ke gabim. Atij burrit ashtu ia kanë thënë. Por jo në këtë rast, por në asnjë rast tjetër ne nuk do të lejojmë njollosje të biografive për shkak të lidhjeve familjare. Siç ka thënë ai burri, “vetëm ata që janë kundër kësaj mazhorance, dihet që kanë qenë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit”.
- Po për Edi Ramën pse thatë që e zë ligji se ka qenë babai i tij deputet në kohë të Partisë së Punës?
- Ta thashë një herë, siç ka thënë ai burri “ata që janë kundër kësaj mazhorance, dihet që kanë qenë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit”. Para një jave p.sh., ne Rama nuk na rezultonte. Tani na rezulton.
- E kuptova, - i tha reporteri. - A t’iu hedh një sy këtyre CV?
- Po mo shikoji. Çfarë viti do?
- Vitin 1996, - i tha reporteri.
Flamuri i vuri para një vandak me shkresa.
Hapi të parën. Jam një demokrat nga Gjirokastra. Kam qenë i angazhuar që në fillim të themelimit me Partinë Demokratike. Kam qenë i vendosur dhe i papajtueshëm me kundërshtarët tanë. Kam tentuar të vras Arben Imamin dhe Ridvan Peshkëpinë në vitin 1997, kur ishin në Gjirokastër, por m’i fshehu një mik i Genc Rulit, më tha që kanë ardhur të shesin abazhurë. Kur i pashë në televizor që ishin me protestuesit, u mërzita shumë dhe nuk ia fal vetes.
- Grise këtë, - i tha Flamurit, - se qenka kundër jush.
E mori Flamuri e pa një herë dhe e hoqi mënjanë.
- Le se s’i dihet, - tha.
Kapi tjetrën. Demokrat Berati. Tregonte si kishte prishur takimet e Genc Pollos kundër Berishës më ‘99.
- Hiqe dhe këtë, - i tha reporteri, - se është kundër partisë.
E pa Flamuri, i hodhi një sy dhe e ruajti mënjanë.
Në fund kap një letër të gjatë me laps kopjativ. Ishte nga Kurveleshi. 42 anëtarë të Partisë Demokratike i dërgonin letër Berishës, ku tregonin se firmat piramidale ishin të inskenuara nga Sigurimi i Shtetit. Banorët e fshatit tregonin se mbesa e Vehbi Alimuçës nga fshati Rexhinë, Xhane Isufaj, kontrollonte gjithë paratë e shqiptarëve futur te VEFA, kurse vajza e saj punonte si shefe e Marrëdhënieve me Jashtë te VEFA dhe ka dërguar paratë në Holandë dhe Belgjikë.
- Grise dhe këtë, - i tha reporteri, - se është kundër Lul Bashës.
E mori Flamuri, i hodhi një sy dhe për pak e hodhi.
- Kujdes, - i tha reporteri, - se ajo vajza që thotë letra, është nuse e Lul Bashës.
- Ashtu? - tha Flamuri. - Pse s’thua ti që kjo punë e parave u transmetuaka dhe në rrugë seksuale.
Pas kësaj Flamuri e humbi durimin dhe ia mori vandakun e letrave nga dora.
- T’i djeg të gjitha, - tha, - se nuk na duhen më. Sa të më ngatërrojnë kot me atë burrin.