E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklaratë për mediat e zëdhënëses së Presidentit të Republikës.

19 qershor 2008

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi është njohur me situatën e vështirë institucionale dhe kushtetuese e cila ka çuar në mos funksionimin normal të Gjykatës së Lartë. Kjo situatë është krijuar nga një numër i lartë vendesh vakant dhe i vonesave të shkaktuara nga procesi i zvarritur i votimit të dekreteve në Kuvendin e Shqipërisë. Në këto kushte, në vazhdën e konsultimeve disa javore, Presidenti i Republikës e konsideron të nevojshme marrjen e disa masave të menjëhershme për evitimin e krizës institucionale. Me qëllim mbrojtjen, garantimin dhe zbatimin e kushtetutës si dhe ruajtjen e parimit të pavarësisë institucionale, Presidenti i Republikës vendosi të ngrejë një grup pune me qëllim asistencën në përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në gjykatën e Lartë me transparencë të plotë juridike. Ky grup pune i përkohshëm dhe konsultativ do të përbëhet nga:

1. Artur Metani Këshilltar juridik i Presidentit
2. Kreshnik Spahiu zv/kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
3. Virgjil Karaj sekretar i përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë
4. Manjola Bejleri Kryetare e Shoq. Kombëtare të Gjyqtarëve
5. Artur Kalaja, Kryetar i Unionit të Gjyqtarëve
6. Prof. Dr. Skënder Kaçupi Dekan i Fakultetit të Drejtësisë
7. Prof. Dr. Aleks Luarasi
8. Prof. Dr Rustem Gjata
9. Krenar Loloçi ekspert i të drejtës Kushtetuese

Ky grup ekspertësh dhe përfaqësuesish të jurisprudencës shqiptare do të ketë për objektiv asistencën ligjore në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë dhe do të funksionojë për një periudhë 10 ditore. Veprimtaria e tij do të realizohet në mënyrë transparente me praninë e mediave në ambientet e Presidencës së Republikës. Grupi juridik i transparencës do të shqyrtojë dokumentacionin e kandidatëve, mund të kërkojë informacione shtesë, të sugjerojë standarde dhe kritere të tjera që lidhen me etikën, moralin, nivelin profesional të kandidatëve si dhe, kur e çmon të arsyeshme mund të intervistojë një pjesë të tyre.

Një ndër objektivat e këtij grupi juridik është realizimi i seancave dëgjimore në Presidencë me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, të cilët do të ftohen për të prezantuar rekomandimet mbi standardet dhe parimet e vlerësuara prej tyre mbi të cilat, Presidenti i Republikës do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për 6 vendet vakant.

Seancat dëgjimore dhe konsultative me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, me objekt përcaktimin e standardeve të kërkuara nga Kuvendi i Shqipërisë për gjyqtarët e lartë do të jenë transparente dhe në prezencën e medias dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare.

Në përfundim të punës 10 ditore, grupi i ekspertëve dhe i përfaqësuesve të sistemit do të prezantojë të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet e mbledhura përpara Presidentit të Republikës, i cili në mbështetje të dispozitave të Kushtetutës ka ekskluzivitetin e përzgjedhjes së emrave ndërmjet kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.

Konsultimet dhe rekomandimet e të gjithë faktorëve brenda dhe jashtë sistemit mbi standardet dhe parimet e këtij procesi përzgjedhës, duhet të jenë dhe të mbeten brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›