E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti Ambasadorin e ri të Australisë në Shqipëri, Xheremi Njuman.

16 qershor 2008

Presidenti i Republikës, Prof. Bamir Topi priti sot Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Australisë në Shqipëri, Xheremi Njuman, i cili i paraqiti Letrat-kredenciale.

Presidenti Topi pasi i uroi Ambasadorit Njuman mirëseardhjen dhe suksese në misionin e tij të rëndësishëm duke e siguruar njëkohësisht edhe për mbështetjen e Institucionit të Presidentit të Republikës, vlerësoi marrëdhëniet miqësore e korrekte mes dy vendeve, pavarësisht nga distanca gjeografike si dhe bashkëpunimin e frutshëm në kuadër të organizmave ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Këshilli i saj i Sigurimit dhe pjesëmarrjen e përbashkët në misionet paqeruajtëse.

Presidenti Topi vuri në dukje nevojën për rritjen dhe shkëmbimin e vizitave të niveleve të larta si dhe zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike. Në këtë pikë, u theksua edhe rëndësia e bashkësisë shqiptare në Australi si urë lidhëse me dy vendeve.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për qëndrimin e vendosur të Australisë në mbështetje të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, pritjes dhe ndihmesës për të shpërngulurit kosovarë gjatë genocidit serb si dhe njohjen e shpejtë të pavarësisë së shtetit më të ri në Ballkan.

Nga ana e tij, Ambasadori Njuman shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe siguroi Kreun e shtetit se gjatë gjithë misionit të tij dipomatik, do të jetë i përkushtuar jo vetëm për rritjen e nivelit të marrëdhënieve dypalëshe dhe shkëmbimit të vizitave, por edhe të zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›