Deklarimet e mjekut : Nuk kam marrë lekë nga pacientët

TIRANË - “Nuk kam marrë para nga asnjë pacient. Lekët që kisha me vete i kisha të miat dhe nuk janë para të marra nga operacioni i veshkave”. Kastriot Dautaj, mjeku urolog 66-vjeçar, ka hedhur poshtë çdo akuzë që i kanë komunikuar agjentët e Antikrimit Ekonomiko-Financiar dje pas arrestimit. Ai ka larguar nga vetja çdo përgjegjësi, duke u mbrojtur me të gjitha mënyrat. Burime të besueshme policore i thanë “Korrierit”, se mjeku i akuzuar për korrupsion pasiv nuk ka pranuar asnjërën nga akuzat që rëndojnë mbi të dhe ka qenë shumë i qetë gjatë marrjes në pyetje. Edhe pse arrestimi i tij është kryer në flagrancë, Dautaj ka deklaruar gjakftohtë, se shuma e parave prej 50 mijë lekësh të reja që kishte me vete nuk kishte lidhje me asnjë pacient dhe asnjë mitmarrje. Ato ishin lekët e tij, të cilat i kishte për problemet e tij personale dhe i kishte fituar nga punët që bënte, pa i kërkuar lekë askujt për asnjë shërbim. Të njëjtat burime thanë se doktori nuk ka shfaqur asnjë shenjë shqetësimi dhe ka qenë shumë i prerë dhe i sigurt në përgjigjet që ka dhënë. Gjatë marrjes në pyetje, e cila ka zgjatur për disa orë, mësohet se mjeku i akuzuar është pyetur edhe në lidhje me llogaritë e majme bankare që kalojnë shifrën e 600 mijë dollarëve, për të cilat nuk ka dhënë shumë sqarime, përveç faktit se punon prej vitesh dhe se i kishte fituar ato me mund e djersë. E ndërsa pjesa e Antikrimit ka mundur të marrë në pyetje Dautajn vetëm për pjesën e mitmarrjes, do të jetë organi i akuzës, ai që do të zbardhë dyshimet e denoncimit të Zyra Agos, e cila e akuzoi tre vite më parë se i kishte hequr veshkën e shëndoshë pa dijeninë e saj. Ndërkohë që nga të tjera burime të besueshme policore, mësohet se pas thirrjes së policisë për denoncimeve të rasteve të ngjashme, ditën e djeshme kanë mbërritur pesë personat tjerë, të cilët kanë dhënë deklarimet e tyre në polici në lidhje me mitmarrjet e Kastriot Dautajt. Personat që kanë denoncuar Dautajn mësohet se kanë përforcuar akuzat ndaj tij, madje me të njëjtën shumë mitmarrjeje. Burimet thonë se po marrin në shqyrtim çdo akuzë të mbërritur në adresë të tij, akuza të cilat duket se “do të blindojnë” dosjen e tij penale. Mjeku urolog Kastriot Dautaj u arrestua dy ditë më parë, nën akuzat e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të “shpërdorimit të detyrës” dhe të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Ndërkohë që së bashku me të, në qeli ka përfunduar edhe babai i vajzës së operuar dy ditë më parë nga mjeku Kastriot Dautaj, Ismail Hoxha. Ky i fundit ishte në zyrën e kirurgut, kur kanë hyrë brenda forcat e policisë për t’i vënë prangat në flagrancë. Hoxha sapo i kishte paguar 500 mijë lekë të vjetra kirurgut të mirënjohur, si “mirënjohje” për daljen me sukses të operacionit të vajzës së tij, Liljana Hoxha.