E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revoltohen të dënuarit, Po flemë mbi fekale

Ujërat e zeza të lagjes industriale të qytetit të Burrelit shkarkohen në oborrin e burgut, fare pranë dritareve të të burgosurve. Ujësjellësi thotë se nuk ka fonde për rikonstruksion

 
BURREL - Mbi 230 të dënuar të burgut të Burrelit, përveç kushteve mizerable në qeli dhe mjediset e tjera, janë të detyruar të përballojnë edhe erën e rëndë të fekaleve të qytetit, që derdhen vetëm pak metra larg dritareve të qelive, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre. Tubacionet e ujërave të zeza të lagjes industriale të qytetit, afro 500 metra gjatësi lineare, derdhen brenda rrethimit të burgut, pikërisht poshtë dritareve ku janë të izoluar të dënuarit e burgut të Burrelit. Ndotja është gjithashtu problematike edhe për banesat e pakta private në afërsi të burgut, por qytetarët gjejnë mundësi të tjera për ajrosjen e shtëpive: mbylljen e kanaleve pranë banesave etj. Ndërkohë, të burgosurit nuk kanë asnjë mundësi mbrojtjeje nga kjo ndotje e paparë. Në pamundësi për të kontaktuar me të dënuarit, mësojmë nga familjarët që takohen me ta, se ky shqetësim i është bërë prezent Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Avokatit të Popullit dhe Drejtorisë së Burgut të Burrelit. “Ndotja është mjaft e madhe. Në qeli, sidomos këto ditë të nxehta, nuk rrihet asnjë minutë. Era e rëndë e fekaleve që derdhen dhe “pushojnë” në anën e prapme të burgut është e padurueshme dhe e papranueshme. Boll flasim, por askush nuk do t’ia dijë për këtë”, janë shprehur të dënuarit për familjarët e tyre. Brenda rrethimit të burgut, fare pranë rrugës që të çon tek varrezat publike, është krijuar një pellg i madh me ujërat e zeza të periferisë së qytetit. Kjo erë e rëndë kundërmon nga larg. Banorët thonë në lidhje me këtë ndotje të paparë, se rojat e kupolave mbi tarracën e burgut “ndoshta janë mësuar e nuk bëjnë zë”, megjithëse edhe këta punonjës e kanë bërë prezent këtë problem në drejtorinë e burgut.

Ujësjellësi s’ka para për të ndërhyrë

Në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve thanë se shqetësimi është i njohur, por nuk ka asnjë mundësi financiare për të ndërhyrë për shmangien e kësaj ndotjeje masive. “Për banesat e vendosura pa kriter në afërsi të burgut nuk na vjen keq, ndërkohë që për burgun e ndjejmë se ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Kur norvegjezët rehabilituan ujësjellësin dhe një pjesë të kanalizimeve në qytet, ne kërkuam edhe rikonstruksionin e këtij kanali që përfundon në mjediset e burgut të Burrelit, por fondet nuk mjaftuan për riparimin e kanalit të hapur të ish-kompleksit industrial”, pohuan drejtues të Ujësjellës-Kanalizimeve në Burrel.

Torturoheshin me fekale në gojë

Në dhomat muze të burgut të Burrelit, krahas torturave të tjera, gjendet e shkruar se të dënuarit e regjimit të kaluar torturoheshin edhe me “fekale në gojë”. Një absurditet ky, por ja që në stendat e muzeut është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Duke kujtuar kushtet e rënda të para viteve ‘90, themi “Të shkuara të harruara”! Mirëpo nuk ndodh kështu, pasi edhe tani, në shekullin 21, kushtet nuk duken të kenë ndryshuar për personat që vuajnë dënimin për veprat e kryera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›