Frikë helmimi në tre qytete

TIRANË - Tashmë asnjë produkt nuk të ofron siguri, madje edhe ato të ambalazhuar. Ishin pikërisht këto produkte të cilët gëzonin besimin se mund t’u “zihej besë”, por ka ndodhur e kundërta. Pikërisht qumështi i ambalazhuar, që konsiderohej më i sigurt nga konsumatorët që shpenzojnë për ta blerë, ka rezultuar me përmbajtje të lartë mikrobike dhe si pasojë, i dëmshëm për shëndetin e konsumatorëve në të paktën tre qytete. Kjo u bë e ditur pas analizave që u bënë nga Inspektorati i Higjienës, specialistët e të cilit deklarojnë se qumështi që tregtohet nga disa kompani vendase, emri i së cilave nuk bëhet ende i ditur, kryesisht në Lushnjë, Fier e Durrës, ka rezultuar me përmbajtje mikrobesh. “Shkaku i kësaj ndotjeje bakteriale është mosrespektimi i kushteve higjienike gjatë përpunimit të qumështit, si edhe transporti pa mjete frigoriferike në kushtet e temperaturave të larta të verës”, tha specialistja e Higjienës, Fiqirete Maçi. Sasi të konsiderueshme qumështi të ndotur janë kapur në disa minimarkete, qendra tregtare, në punishte ëmbëlsirash dhe akulloresh. Duke marrë parasysh numrin e madh të klientëve që konsumojnë sidomos akulloret në këto ditë të nxehta, duhet pasur frikë edhe për shpërthimin e ndonjë epidemie të mundshme. Sipas drejtuesve të Higjienës, kompanitë prodhuese duhet të respektojnë kushtet higjienike, ndërsa Inspektorati Veterinar duhet të respektojë kontrollin e këtyre produkteve.
Edhe akulloret me qumësht të papastër
Si pasojë e furnizimit me qumësht të ndotur, një sasi jo e vogël ëmbëlsirash dhe akulloresh kanë rezultuar jocilësore, madje të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve. Kjo ka rezultuar pikërisht në disa punishte të kryeqytetit, përkatësisht pranë rrugës “Myslym Shyri”. Raste të tjera ka pasur edhe në zonën e Vorës, ku disa punishte kanë rezultuar gjithashtu me ndotje të lartë mikrobike. Ky fenomen rrezikon seriozisht jetën e banorëve, të cilët nuk po gjejnë karar me asnjë lloj produkti. Problemet që mund të shkaktojnë këto produkte, të cilat janë jashtë standardeve higjienikë, janë helmimet e ndryshme, diarreja dhe deri tek sëmundja e brucelozës.