E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarimi elektronik, plotësohet nga 90 për qind e bizneseve

07/04/2010 Papajani: Deri para dy ditësh u kemi marrë deklaratat rreth 13 mijë tatimpaguesve

Plot 90 për qind e bizneseve të përfshira në skemën e TVSH-së kanë bërë deklarimin elektronik të librave të shitjeve dhe blerjeve, një formë që është aplikuar për herë të parë nga administrata tatimore. Deklarimi elektronik synon të eliminojë kontaktet e drejtpërdrejta mes biznesit dhe tatimorëve, por edhe të marrë në kohë reale informacionin për shitjet dhe blerjet që bën subjekti privat, çka pritet të çojë në ulje të evazionit fiskal. Praktika e deklarimeve online të detyrimeve do të përdoret gjatë muajve të ardhshëm edhe për biznesin e vogël. “Mund të them se 90 për qind e tatimpaguesve shqiptarë ka përmbushur këtë detyrim. Ne kemi arritur të marrim deklaratat e rreth 13 mijë tatimpaguesve, kundrejt një numri rreth 15 mijë në total. Sfidat e mëdha të teknologjisë së informacionit, të cilat kjo administratë është e detyruar dhe e ndërgjegjshme për ti zbatuar, janë ato që kanë të bëjnë me deklarimin madhor elektronik të tatimpaguesve përfshirë edhe ato të biznesit të vogël, deklarimin madhor të të gjithë listëpagesave në mënyrë elektronike duke përfshirë këtu edhe biznesin e vogël”, theksoi dje Papajani. Por në fjalën e tij kreu i tatimeve i ka vënë një theks të veçantë përdorimit nga ana e qeverisë shqiptare të sistemit elektronik të DPT-së për procesin e deklarimit të të ardhurave për individët. Kreu i Tatimeve u ka bërë apel edhe pjesës së mbetur të bizneseve në skemën e TVSH-së, që të bëjnë deklarimin elektronik. Edhe pse afati i deklarimeve ka përfunduar para dy ditësh, administrata tatimore i ka kërkuar Ministrisë së Financave që ndaj këtyre tatimpaguesve të mos vendosen penalitete, përderisa mënyra e deklarimit online është përdorur për herë të parë këtë muaj. Nga ana e tij, ky institucion ka shprehur falënderim për të gjithë tatimpaguesit, të cilët me gjithë vështirësitë teknike që kanë hasur, realizuan përmbushjen e këtij detyrimi, duke realizuar dërgimin në mënyrë elektronike të librave të shitjes dhe blerjes.

Sfida

Sfida më e madhe për tatimet mbetet data 14 prill, kur bizneset duhet të bëjnë deklarimin elektronikisht të TVSH-së. Dorëzimi elektronik i librave të shitjes dhe blerjes, sipas kalendarit të përcaktuar në Udhëzimin e ministrit të Financave, filloi në muajin shkurt për tatimpaguesit e mëdhenj. Ndërkaq, afati i fundit për të bërë deklarimet online të librave të shit-blerjes, për bizneset e vogla është data 1 korrik dhe në rast se nuk respektohet do të ketë penalitete.

TVSH

Ulja e pragut të Tatimit të Vlerës së Shtuar nga 8 në 5 milionë lekë xhiro-vjetore, po shoqërohet me fenomenin e vetëmbylljes nga ana e bizneseve të aktivitetit, për tju shmangur këtij tatimi. Sipas tatimeve, është një numër i madh i subjekteve të vogla, po përpiqen të fshehin xhiron e tyre, për të mbetur jashtë skemës së TVSH-së, duke u mbyllur dhe hapur sërish me emër të ri. Për të eliminuar këtë fenomen kanë filluar kontrollet masive në të gjithë vendin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›