Pezullimi i Paktit me Greqinë, Berisha: Nuk e diskutoj Kushtetuesen
TIRANE-Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se Marrëveshja me Greqinë për ujrat detare do të rishikohet në bazë të vendimit që ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese. Në një konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme, Berisha u pyet rreth pezullimit që i bëri Gjykata Kushtetuesë Paktit Shqipëri-Greqi për përcaktimin e kufirit detar dhe u shpreh se dy gjëra janë të sigurta tashmë “Vendimi I Gjykatës Kushtetuese nuk diskutohet. Por Marrëveshja me Greqinë do të ecë para sepse do të rishikohet”. Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se qeverisë shqiptare do ti duhet të nënshkruajë marrëveshje të të njëjtit lloj dhe me vende të tjera dhe do ta bëjë këtë bazuar në Konventat Nërkombëtare. Gjithsesi Berisha shtoi se vendimi i Kushtetueses nuk është zbardhur ende dhe se pret të njihet me të në rrugë zyrtare. Më 26 Janar Gjykata Kushtetuese rrëzoi me votim unanim 9-0, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Në një njoftim zyrtar Gjykata Kushtetuese theksoi se, "Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë njoftoi se në mbledhjen e saj të dt.26.01.2010, në bazë të nenit 131/ b) të Kushtetutës, vendosi njëzëri të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projekt-marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Kushtetuesja sqaron me tej pikat ku anetaret e Gjykates dyshojne se shkelen ligjet nga Pakti detar. "Gjykata Kushtetuese theksoi se në projekt-marrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982", citohet sot nga Kushtetuesja. Nëntë anëtarët e Kushtetueses kanë pranuar kësisoj kërkesën prej 13 faqesh që Partia Socialiste depozitoi në datën 20 tetor 2009 pranë këtij institucioni, me objekt shqyrtimin e pajtueshmërisë me ligjin themeltar të shtetit të paktit detar shqiptaro-grek. (d.b/BalkanWeb)