Zbardhet skandali, vidhen 1 mijë tonë naftë të Albpetrolit
KUÇOVE/ DILAVER XHELILI
Kompania shte-tërore e Albpetrolit zbulon vjedhjen më të madhe të naftës. Vetëm në harkun kohor të tetë muajve, persona ende të paidentifikuar kanë arritur të vjedhin 1 mijë tonë naftë. Vjedhja është konstatuar kur në depozitat e Albpetrolit është parë se në vend të naftës ishte derdhur ujë. Skandali ka vënë në alarm drejtuesit e kësaj kompanie, ndërsa Prokuroria e Beratit ka nisur hetimin. Lajmi konfirmohet edhe nga burime të besueshme në ndërmarrjen e shpërndarjes së naftës në Kuçovë. Mësohet se për vjedhjen është vënë në dijeni edhe Drejtoria e Përgjithshme e naftës. Të njëjtat burime të ndërmarrjes në Kuçovë, por edhe punonjës të saj, pohuan se në vend të naftës në linjën Kuçovë - Zharrës është pompuar ujë. Ky veprim i lënë në heshtje për disa muaj, ka alarmuar drejtuesit e Albpetrolit, të cilët kanë kryer një kontroll dhe janë befasuar, kur kanë zbuluar se në vend të naftës ishte transportuar ujë. Nga kontrolli i ushtruar rezulton se brenda 8 muajve janë vjedhur 1 mijë tonë naftë. Burime brenda ndërmarrjes së transportimit të naftës në Kuçovë bënë të ditur se ky fenomen është përsëritur edhe më parë, por nuk dihet se pse skandali është mbajtur i fshehtë për gjithë këta muaj. Mësohet se në momentin e transportimit me pompa të naftës në tubacionin kryesor Kuçovë - Zharrëz - Ballsh, kryhej edhe vjedhja e "arit të zi". Drejtoria e Përgjithshme e naftës për momentin ka bërë shkarkimin e shefit të sektorit të ndërmarrjes së shpërndarjes së naftës (ndërmarrja e vajgursjellësit) Luftar Ziraj, gjersa të zbardhet e vërteta e këtij skandali. Pas konstatimit të kësaj vjedhjeje më të madhe në historinë e naftës, kanë filluar hetimet nga prokuroria. Në të njëjtën ndërmarrje në Kuçovë prej vitesh janë kryer vjedhje të naftës dhe solarit. Disa herë organet e policisë janë ndeshur me grupe hajdutësh që janë kapur në flagrancë duke ndërhyrë në tubacion. Vjedhja kryhej në momentin që pompat ishin duke transportuar naftë në tubacionin kryesor, Kuçovë - Ballsh. Kjo linjë tashmë e njohur për vjedhjen e naftës është bërë gangrenë për policinë dhe organet e drejtësisë dhe Drejtorin e Albpetrolit. Zonat më problematike të tubacioneve të shpërndarjes janë në vendet e quajtura Pobrat, Zharrës, Qafa e Sqepurit dhe Poshnjë. Një vit më parë policia arrestoi një grup prej gjashtë personash në vendin e quajtur Polizhan. Ata u kapën në flagrancë, duke vjedhur naftë në momentin që pompat po kryenin transportimin e saj. Ata po e kryenin misionin e tyre me autobot, duke shpuar tubot me trapan. Sipas burimeve, mund të ekzistojnë dhe dy tubacione paralel, ku në njërën transportohet naftë dhe në tjetrin ujë.