E Diel, 1 Nëntor 2026

Varrezat, mirëmbajtja nga privatët

 

SHKODER - Bashkia e Shkodrës u kalon në administrim privatëve varrezat e qytetit. Që shërbimi i varrezave të shkojë tek të tretët u vendos që një vit më parë, pasi mirëmbajtja nga ana e ndërmarrjes komunale u cilësua e dështuar. Qytetarë të shumtë janë ankuar dhe kanë protestuar në bashki herë pas here mbi gjendjen e mjeruar në të cilën ndodheshin këto varreza. Nisur nga ky realitet, bashkia realizoi tenderin për të përcaktuar firmën fituese. Tashmë, për herë të parë varrezat e Shkodrës kanë punonjës pastrimi, duke "çliruar" kështu varret nga shkurret dhe ferrat. Bashkia ka mundur të sigurojë edhe financimin për shpronësimin, duke i lënë mundësi zgjerimit të sipërfaqes së varrezave. Por, banorët që janë shpronësuar kanë mbetur të pakënaqur për fondin që iu është ofruar. Në të ardhmen Bashkia Shkodër ka parashikuar shpronësimin e sipërfaqeve të tokave në  vazhdim, si dhe sistemimin e një sipërfaqeje toke që ndodhet në brendësi të varrezave, që do të shërbejë si parkim për automjetet.               r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›