Deko: Sheva e meritoi çmimin

15/12/2004 Portugezi Deko, nuk e ka pasur problem të flasë për fitoren e “Topit të Artë”, që u fitua nga sulmuesi ukrainas i Milanit, Adrij Shevçenko. Në një konferencë për shtyp, futbollisti i Barcelonës ka qenë i qartë: “Nuk mund të bëj gjë tjetër, veçse t`i bëj komplimente Shevçenkos, për këtë trofe të rëndësishëm. Ka bërë shumë për Milanin, mbi të gjitha këtë sezon dhe absolutisht e meriton “Topin e Artë”. Nëse e meritoja unë? Të gjithë ata që kanë votuar kanë qenë profesionistë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Personalisht, kam dhënë maksimumin dhe duhet të kënaqem edhe me vendin e dytë. Ndoshta sezonin e ardhshëm mund të jetë radha ime“. Nga Shevçenko te Barcelona, që duket se e ka blinduar vendin e parë në klasifikim: “Jemi duke kaluar momente shumë të mira, për sa i përket formës, të gjithë futbollistët në përgjithësi. Por do të jetë shumë e rëndësishme, nëse arrijmë ta ruajmë vendin e parë, deri në fund të sezonit. Është absurde të flasësh pikërisht në këtë periudhë të kampionatit, për vendin e parë. Kemi shumë punë për të bërë”. Blerjet e reja i kanë dhënë një fytyrë tjetër Barcelonës: “Është e vërtetë. Drejtuesit e skuadrës kanë shpenzuar shumë për të formuar një skuadër të madhe dhe ne duhet ta shpërblejmë në fushë besimin e tyre”. Trajneri Frenk Rajkard, ka deklaruar se, objektivat e Barcelonës janë kampionati dhe Liga e Kampioneve. I pari, nëse skuadra katalanase vazhdon me këtë ritëm, do të realizohet, ndërsa i dyti, do të përcaktohet nga dy ndeshje direkte. Cilën skuadër dëshiron Deko në 1/8-at e Ligës së Kampioneve? “Është e paevitueshme që do të ndeshemi me një skuadër të madhe. E kemi mbyllur fazën e parë në vend të dytë dhe tashmë do të sfidojmë një nga skuadrat që është renditur e para. Shpresoj të mos përballemi me një skuadër italiane, sepse duke pasur parasysh futbollin që ata praktikojnë, do të jetë shumë e vështirë të kualifikohemi”. Një koment për atë që ndodhi në ndeshjen Real Madrid-Real Sociedad: “Sinqerisht jam trishtuar kur pashë në ritransmetim pamjet televizve. Tifozë që largoheshin të trishtuar duke vrapuar. Ishin pamje që kishin të bënim pak me një ndeshje futbolli”.