E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studentët drejt auditorëve

14/12/2004  Greva 1 mujore përfundon, administrata rrogat sa të nëpunësve civil

Studentët drejt auditorëve

Mbledhje urgjente, pedagogë-qeveritarë, pagat rriten nga buxheti

Denisa Xhoga

Studentët do të ulen në auditore sot. Greva e pedagogëve përfundoi, pagat e tyre do të rriten tërësisht nga të ardhurat buxhetore. Ka qenë paksa e papritur kjo marrëveshje pas qëndrimeve krejt të kundërta dhe të vendosura si nga ana e qeverisë dhe e pedagogëve. Megjithëse ministri i Shtetit, Marko Bello, ka deklaruar dy ditë më parë se negociatat mes palëve përfunduan, dje paradite është bërë një mbledhje urgjente. Ka qenë ministri i Shtetit dhe kryetari i grupit ndërministror të ngritur për këtë qëllim, Marko Bello, ministri i Arsimit, Luan Memushi, sekretari i Përgjithshëm, Ksenofon Kristafi dhe disa funksionarë të tjerë në takimin e djeshëm me komisionin e grevës të kryesuar nga Ismail Hoxha. Grupi ndërministror ra dakord që shtesa e pagave të pedagogëve të bëhej plotësisht nga buxheti i shtetit, ndërsa disa ditë më parë me një vendim të Këshillit të Ministrave u vendos që kjo rritje të përballohej 50 për qind nga buxheti dhe gjysma tjetër nga të ardhurat dytësore të vet universiteteve. Këtë e kundërshtuan pedagogët dhe greva vazhdoi. Ndërkohë, për punonjësit e administratës u vendos që të hynin në piramidën e pagave të administratës qendrore, pra të paguhen sipas statusit të nëpunësit civil. Kjo rritje page, për këto dy muaj do të përballohet nga të ardhurat dytësore, ndërsa me përfundimin e studimit të pagave në muajin shkurt, ata do të hyjnë në piramidën e punonjësve të administratës qendrore. Fondi shtesë i pagave të pedagogëve, 600 milionë lekë u miratua dje nga parlamenti me buxhetin e vitit 2005. Ndërsa, në qoftë se në mars rritja e pagave të punonjësve të administratës nuk merret përsipër nga buxheti i shtetit, pedagogët do të rinisin përsëri grevën pa afat.

Mësimi, një të shtunë po e një jo

Pedagogët e Universitetit të Tiranës vendosën që orët e mësimit në këto tre javë e gjysmë grevë t’i zëvendësojnë gjatë ditëve të shtuna. Por, nuk do të bëhet mësim çdo të shtunë, pasi studentët do të shkojnë edhe në shtëpitë e tyre për fundjavë. Kështu që mësim do të bëhet një të shtunë po e një jo. Ndërsa për Universitetet e qyteteve të tjera nuk mund të thuhet e njëjta gjë, pasi jo të gjithë e kanë nisur njëkohësisht grevën. Rektori i Universitetit Politeknik, Përparim Hoxha, u shpreh se do të shtynin semestrin e parë tetë javë, por kjo ide nuk u pranua nga pedagogët dhe sot do të vendoset se ç’rrugë do të ndiqet për të zëvendësuar mësimin. Ndërkohë, shkolla mbaron në datën 23 dhjetor, kështu që dhe një javë shkollë iu ka mbetur për tani.

Konviktet bosh, sot vijnë nga rrethet

Studentët nga rrethet shkuan në shtëpitë e tyre sapo nisi greva e pedagogëve. Duke qenë se vendimi u mor dje, ata janë nisur sot për të ardhur në Tiranë, apo në qytetet ku vazhdojnë studimet. Sot pritet që auditorët të jenë bosh, pasi 70 për qind e studentëve janë nga rrethet. Kështu, rreth 34 mijë studentë rinisin mësimin.

Buxheti që ligjvënësit tanë i dedikojnë për vit arsimit, proklamohet të jetë 2,9% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të vendit. Një vit më parë u arrit që pas një shtese kjo shumë të arrijë në 3,1%. Kjo shumë, është gjithsesi më e ulët se paratë që deri edhe fqinjët tanë të dalë nga luftëra të freskëta i vënë në dispozicion shkollimit të tyre.

Lëvizjet e shoqërisë civile

Lëvizja më e fundit e “Mjaft”-it është ajo për arsimin e quajtur Lëvizja “A”. Sipas statistikave të paraqitura dje nga kjo lëvizje, mesatarja botërore e caktuar për arsimin në raport me GDP është 5 për qind. Mesatarja e vendeve me të ardhura mesatare, ku përfshihet dhe Shqipëria, është 4,8 për qind, pak më shumë është e vendeve evropiane në tranzicion. Buxheti që ligjvënësit tanë i dedikojnë për vit arsimit, proklamohet të jetë 2,9% e

Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të vendit. Një vit më parë u arrit që pas një shtese kjo shumë të arrijë në 3,1%. Ndërkohë dhe Parlamenti Rinor vendosi që të fillojë aksionin rinor për rritjen e buxhetit të arsimit dhe rritjen e pagave të mësuesve me slloganin: “Ata kanë armët, ne kemi numrat”, bazuar te vargjet e Jim Morisonit, me idenë se arsimtarët janë shumë, politikanët janë pak.

PIKA E I

Rritja e pagave të 2000

pedagogëve nga buxheti

Rritja e pagave të 2000 pedagogëve dhe akademikëve do të përballohet 100 për qind nga buxheti i shtetit. Dje, parlamenti miratoi edhe buxhetin shtesë të pagave të pedagogëve, 600 milionë lekë të reja. Të premten, në mbledhjen e fundit të qeverisë u vendos që rritja e pagave të përballohej 50 për qind nga buxheti dhe gjysma tjetër nga të ardhurat e vet universiteteve, që janë rreth 12 milionë, që kryesisht mblidhen dhe përdoren më pas për të mbajtur sistemin part-time dhe specializimet pasu

niversitare.

PIKA II

Për 1000 punonjësit, rritja

fillimisht nga të ardhurat

Rritja e pagave të 1000 punonjësve të administratës së 11 universiteteve nga 1 janari deri më 30 shkurt do të përballohet nga të ardhruat dytësore të Universiteteve. Këta punonjës aktualisht paguhen si punonjës buxhetorë të thjeshtë, ndërsa që këtej e tutje do të paguhen si punonjës të administratës qendrore, pra do të fitojnë statusin e nëpunësit civil. Aktualisht pagat e tyre lëvizin nga 10.8 mijë lekë të reja në 20 mijë lekë të reja. Me futjen në piramidën e pagave të administratës publike, ata përfitojnë një rritje page deri 50 për qind.

Solis për grevën: Ata i karrikon media

Mjekët çdo ditë do të

lënë 1 orë bisturinë

Bluzat e bardha në të gjithë vendin sot do të nisin grevën 1 orëshe. Çdo ditë kjo grevë do të zhvillohet vetëm një orë. Duke qenë se mjekët përjashtohen nga ligji i grevës, si sektor jetik nga ndërprerja totale e punës, dje sindikatat e mjekëve vendosën që kalendari i grevës të shënojë 1 orë pa punë. Mjekët dhe punonjësit e tjerë të shendetësisë kërkojnë 50 për qind rritje page. Ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, ku premtoi para tri ditëve rritje page 8 për qind, por mjekët dhe punonjësit e tjerë nuk janë dakord, ata kërkojnë 50 për qind rritje page. Madje, ministri i Shëndetësisë ka theksuar se jo të gjithë do të përfitojnë 8 për qind rritje page. Kjo është rritja mesatare, shtimi i pagës do të variojë sipas vështirësisë, punës që kryejnë dhe kualifikimit. Sindikatat kishin vendosur se nesër do të zhvillonin grevë 1 ditore, por duket se nuk do t’i lënë spitalet bosh. Më datën 1 dhjetor, ata zhvilluan një grevë paralajmëruese. Kjo grevë organizohet nga sindikata e pavarur e mjekëve dhe në të do të përfshihen mjekët dhe infermierët e gjithë spitaleve dhe poliklinikave të vendit. Në fillim të grevës, ata kishin vendosur që gjatë ditëve të grevës, spitalet do të funksionojnë sikundër ditëve të pushimit, e shtunë dhe e diel, duke lënë në gatishmëri të plotë urgjencat dhe në pavione do të qëndrojnë mjekët e rojeve. Por puna do të ishte e papërballueshme nga ky personel i pakët, kështu që u vendos që greva e bluzave të bardha të jetë 1 orë protestë para spitaleve. Në fillim u vendos që rritja e pagave të sektorit të shëndetësisë të gjente zgjidhje njësoj si ajo e pedagogëve. Për këtë arsye në grupin ndërministror merrte pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis. Por, dje në një konferencë shtypi, pyetjes së gazetarëve se cila është zgjidhja e afruar për grevën e sektorit të shëndetësisë, e vetmja përgjigje e gjetur prej tij ishte: “Ata i karrikoni ju”. Ndërkohë që mjekët kërkojnë jo vetëm rritje page, por dhe mbulimin e tyre nga të ardhurat e ISKSH-së, Instituti i Kujdesit Shëndetësor, prej të cilit deri tani paguhen mjekët e familjes. Në peticionin dërguar Kryeministrit, më 1 dhjetor, ata e deklarojnë ISKSH-në, institucion piramidal. Ata kërkojnë dhe sigurimin e barnave nga vet spitalet, detergjentë, funksionimin e kaldajave, lavanterive dhe investime të tjera për spitalet.

MJEKËT KËRKOJNË

1.Rritje page deri 50 për qind

2.Pagat e mjekëve të përballohen nga ISKSH

3.Investime për veshjet e punës, lavanteri, dezifektantë

4.Të sigurohen barnat

5.Të shtohen krevatët për shtrim

Më 1 janar pagat janë:

• 87.476 lekë

bëhet paga e profesorit

75.896 lekë

Profesor i asociuar

65.659 lekë

Pedagog me gradë shkencore

55.422 lekë

Pedagog

45.238 lekë

Asistent-pedagog

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›