Rama, Berishës: Prano kompromisin
Një ditë para Samitit të Sarajevës, ku do të hapet drita jeshile për liberalizimin e vizave, opozita socialiste ka ripërsëritur apelin për zgjidhjen e krizës politike. Në një konferencë të posaçme për shtyp, kreu i saj, Edi Rama, i ka bërë dje thirrje Kryeministrit Sali Berisha për pranim të ofertës për kompromis, në funksion të të cilit selia rozë, sipas tij, ka bërë hapat e duhur. “Ne i kemi bërë hapat tanë dhe e kemi pranuar kompromisin për hir të interesit të madh publik, që edhe transparenca të bëhet, edhe vizat të liberalizohen, edhe kushtet për reformat e integrimit të krijohen. Zoti Berisha nuk duhet të mendojë se afati ultimativ i Strasburgut mund të zhbëhet...”, tha Edi Rama. Duke nënvizuar marrjen e përgjegjësive nga ana e partisë së tij, ai ka lënë të kuptohet se refuzimi për gjetjen e një zgjidhjeje do të sjellë penalizmin e Shqipërisë për sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Në këtë mënyrë, Rama ka marrë përsipër paralajmërimin e opinionit për një skenar që buron nga dëfshtimi i negociatave, nisja e të cilave, gjithsesi, i dha mundësi Berishës të jetë prezent në Sarajevë, me një situatë institucionale të stabilizuar dhe pa një grevë urie në bulevardin kryesor të Shqipërisë. Në këtë kuadër, bie në sy se apeli i kreut socialist është vënë në marrëdhënie të ngushtë me vendimin e pritshëm për përfshirjen e vendit tonë në hapësirën “Shengen”, i vetëdijshëm se një sukses në Bosnjë do të ushqejë propagandën e qeverisë. Thënë ndryshe, nëse samiti vendos të pranojë propozimin e pak ditëve më parë për t’i hapur rrugë lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe boshnjakë, atëherë mund të thuhet se perspektiva e negociatave dhe kërkesës për transparencë është thuajse e mbyllur. Për këtë arsye, edhe politika e selisë rozë po i mëshon me forcë kërkesës për kompromis, duke qenë se mundësia e vetme për të penalizuar qeverinë në këtë moment është pezullimi i liberalizimit, i cili zgjidhet këto dy ditë. Në mbështetje të qëndrimeve të veta, që në thelbin e përmbajtjes ligjërimore janë parimore, Rama ka sjellë një deklaratë të europarlamentarit të djathtë, Eduard Kukan, dhënë për “Top Channel”. “Dua t’i kujtoj zotit Berisha se jemi pranë pikëmbërritjes që na është lënë nga miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, për të zgjidhur krizën dhe nuk duhet t’i rëndojmë shqiptarët me pasojat e moszgjidhjes së saj. Këto pasoja janë bërë shumë të qarta në tryezën e Strasburgut dhe dje janë shprehur hapur edhe nga drejtuesi i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, europarlamentari i djathtë, Eduard Kukan”, deklaroi ai. Një arsye që nxiton kërkesën e PS për arritjen e kompromisit është edhe pretendimi i saj i ligjshëm për të qenë pjesë aktive e këtij vendimi me rëndësi për vendin, për arritjen e të cilit ka kontribute qenësore. Por në vetvete duket se ajo lidhet edhe me krizën aktuale dhe përpjekjet e selisë rozë për t’u riintegruar me dinjitet në lojën politike në vend. Dje ndoshta për herë të parë, kreu i saj nuk ka folur për protesta dhe përshkallëzim, por për penalitete nga komuniteti ndërkombëtar. Qëndrimi opozitar është kthyer tanimë në variabël të vendimeve politike të Sarajevës, i cili ka gjasa t’i japë Berishës një kartë elektorale, gjë e cila mban të ndezur tensionin në selinë rozë. Në këtë kuadër, liria e veprimit për PS është reduktuar në atë që lidhet me shpresën e dështimit të qeverisë, fatura e të cilit do të ishte fatal për të. Në këtë drejtim Rama ka qenë shumë i qartë: “Ne e kemi pranuar kompromisin. Ju bëj thirrje zoti Kryeministër ta pranoni edhe ju, sepse pasojat e moszgjidhjes do t’u bien mbi kurriz shqiptarëve, ndërsa përgjegjësia do të jetë vetëm e juaja. Kështu që ju zoti Berisha duhet të jeni dyfish i interesuar për të mos e mbajtur të bllokuar zgjidhjen, edhe si shqiptar, edhe si Kryeministër”, përfundoi ai.
#