E Diel, 1 Nëntor 2026

Mori para për të zbatuar ligjin, pranga kryetarit të komunës

Lezhë U fut në kurth nga një fshatar që sorollatej prej vitesh për regjistrimin e tokës së tij

Arrestohet kryetari i Komunës Kolsh të Rrethit të Lezhës, Andi Marku. Arrestimi i tij është bërë në kushtet e flagrancës nga ana e Policisë së Lezhës në bashkëpunim me prokurorinë e këtij rrethi, për veprën penale të korrupsionit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, Andi Marku u arrestua në orën 11:30 të ditës së djeshme. Të njëjtat burime sqarojnë se para gjashtë ditësh kishte nisur edhe operacioni për arrestimin e tij, pas denoncimit të një banori të fshatit Manati, që i përket Komunës Kolsh. Fshatari ka kërkuar ndihmën e Policisë së Lezhës, e cila ka bashkëpunuar me prokurorin për realizimin e arrestimit dhe dokumentimin e plotë të korrupsionit. Sipas burimeve policore, Andi Marku kishte të paktën tre vite që sorollaste shtetasin A.K., duke mos i dhënë dokumentacionin për tokën e tij që e kishte marrë në bazë të ligjit 7501. Kryekomunari i kishte këtij personi 1 milion lekë për t’ia dhënë tokën në pronësi sipas ligjit. Pas disa takimesh, banori i fshatit Manati nuk ka mundur të gjejë paratë dhe pasi nuk ka parë rrugëzgjidhje tjetër ka kërkuar ndihmën e policisë, ku ka kryer edhe denoncimin. Menjëherë pas marrjes së denoncimit, sektori i luftës kundër krimit ekonomiko-financiar në Drejtorinë e Policisë së Lezhës ka nisur punën për dokumentimin e këtij rasti dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit ka hartuar një operacion i cili është vënë në zbatim dje paradite. Policia këshilloi denoncuesin A.K. që të vazhdonte bisedimet me kryetarin e komunës dhe t’i premtonte atij dhënien e parave të kërkuara. Andi Marku kishte rënë dakord të merrte paratë e kërkuara dje në orën 11.00, pa e ditur se paratë i ishin dhënë banorit të fshatit Manati nga Prokuroria e Lezhës dhe do të përdoreshin si provë e pakundërshtueshme për korrupsionin. Policia dhe prokuroria kishin regjistruar gjithashtu edhe bisedat telefonike mes “zgjedhësit” dhe të zgjedhurit në krye të Komunës së Kolshit.

Në momentin që A.K. i ka dorëzuar paratë, në zyrën e kryetarit të komunës, kanë hyrë menjëherë forcat e policisë së Lezhës. Policia ka nxjerrë të gjithë punonjësit e administratës nga komuna, duke mbajtur brenda të vetëm kryetarin, të cilit i ka gjetur në sirtarin e zyrës edhe shumën e parave që i kishte dhënë A.K. Menjëherë policia ka shoqëruar në prezencë të prokurorisë Andi Markun, ndërkohë që ka nisur edhe marrjen në pyetje. Ndërkohë, një grup ekspertësh ka kryer edhe ekspertimin në zyrën e kryekomunarit, duke dokumentuar gjithçka. Gjatë arrestimit të tij, kryetari i Komunës Kolsh nuk i ka kundërshtuar punonjësit e policisë, disa prej të cilëve kanë qenë më parë edhe vartësit e tij. Përpara se të zgjidhej kryetar i Komunës Kolsh si kandidat i pavarur, Andi Marku ka mbajtur postin e shefit të rendit në Drejtorinë e Policisë së Lezhës. Ai fitoi zgjedhjet e shkurtit të vitit 2007 me 57 për qind të votave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›