E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekret për ulje të mbipopullimit në burgje

Italia ka nxjerr një dekret për të ulur periudhën e paraburgimit dhe për të inkurajuar alternativa kundrejt dënimeve me burg për vepra të lehta kriminale.

Vendimi i së mërkurës ka të bëjë me adresimin e kritikave që ky shtet ka për burgjet e mbipopulluara, nga organizata të ndryshme të të drejtave të njeriut.

Burgjet italiane janë më të populluarat në BE, me afro 67 000 të burgosur në qelitë e ndërtuara për 45 000 veta, ndërsa disa burgje funksionojnë me mbi 250 për qind të kapacitetit për të cilin janë ndërtuar, njofton Antigone, një organizatë për të drejtat e njeriut në Itali, transmeton Rel.

Në janar të këtij viti, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut urdhëroi Italinë që të adresojë këtë problem deri në fund të vitit, pasi nxjerri vendim se mbipopullimi i burgjeve paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

Mbipopullimi i burgjeve në Itali shkaktohet nga sistemi i ngadalshëm juridik në zgjidhjen e rasteve, por edhe për shkak se qeveria ka dështuar tash e një kohë për të ndërtuar burgje të reja, për shkak të recesionit nëpër të cilin po kalon tash e tre vjet.

Aktualisht, 40 për qind e popullatës në burgjet e Italisë po presin gjykimin, krahasuar me 15 për qind në Angli dhe Gjermani. Ndërsa 37 për qind e të burgosurve janë të dënuar për drogë, krahasuar me 15 për qind, sa është mesatarja evropiane, tregojnë shifrat e organizatës Antigone./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›