Misioni, opozita: Qeveria shiti armë në Çad
Opozita, kundër dërgimit të Misionit Paqeruajtës në Çad. “Nuk mund të vriten ushtarët me armët tona”
TIRANË- Shqipëria mund të përbëjë rastin e parë, të paktën për atë nivel shtetesh që aspirojnë të bëhen pjesë e NATO-s, që pasi i ka shitur armë një vendi që ka paqëndrueshmëri politike, dërgon më pas në të ushtarë për të ruajtur paqen. Një precedent i tillë, është zbuluar dje në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku dhe është miratuar me votën kundër të opozitës akti normativ për dërgimin e një trupe ushtarake Paqeruajtëse prej 62 ushtarësh, në shtetin afrikan të Çadit. Deputetët opozitarë, Pirro Lutaj dhe Petro Koçi, megjithëse kanë qenë dakord parimisht për kontributin që kërkon të japë Shqipëria në misionet paqeruajtëse përkrah partnerëve ndërkombëtar, kanë shprehur shqetësimin se marrëveshja në fjalë, për shkak të tregtisë së armëve që ka bërë vendi ynë me grupe të caktuara etnish në këtë vend, përbën një rast të veçantë dhe të rrezikshëm për jetën e forcave tona që do të dërgohen në këtë mision. Për këtë arsye, ata kanë debatuar ashpër me Drejtorin Juridik të Ministrisë së Mbrojtjes, Ndue Markun, i cili megjithëse është përpjekur që të shpjegojë termat e aktit normativ, nuk ka mundur që t’u japë shpjegime pyetjeve për tregtinë e armëve që ka kryer Shqipëria në Çad. Për këtë, Koçi dhe Lutaj, ashtu si dhe deputetët e tjerë të këtij komisioni, duke iu referuar këtyre informacioneve jozyrtare, kanë kërkuar ardhjen e Ministrit të Mbrojtjes, për të dhënë shpjegime për këtë tregti. “Informacionet që disponojmë janë që Ushtria Shqiptare dhe Qeveria Shqiptare, këto dy vitet e fundit, ka pasur kontribute të tjera në Çad. Është e domosdoshme që të informohet Komisioni dhe në mënyrë të veçantë duhet të njoftohet Parlamenti, përpara se ta miratojë këtë akt normativ. Ne nuk mund të bëjmë, në të njëjtën kohë furnizimin me armë të formacioneve të ndryshme ushtarake në Çad dhe, nga ana tjetër, të çojmë paqeruajtës atje, për t’i vrarë me armët tona”,- u shpreh deputeti Pirro Lutaj. Rasti i Çadit nuk është i vetmi ku vendi ynë ka shitur armë dhe ka çuar më pas ushtarë, pasi një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Afganistan, por ajo që e përbën të veçantë atë, është paqëndrueshmëria politike dhe konfliktet midis grupeve etnike, të cilat shpesh ndryshojnë pozicionet në raport me pushtetin. Nisur nga një situatë e tillë e paparashikuar, deputeti Petro Koçi, duke e konsideruar çështjen si tepër serioze, ka theksuar se ajo kërkon trajtim politik dhe jo teknik apo juridik, prandaj dhe ka kërkuar në raportim ministrin Oketa. Sipas Koçit, Oketa duhet të jap shpjegime nëse për këtë tregti, qoftë kjo edhe e ligjshme, ka pasur dijeni kryeministri Sali Berisha apo edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ai ka theksuar se Kuvendi, përpara se të vendosë për fatin e këtij akti normativ, duhet të dijë se cilat do të jenë pasojat e furnizimit me armë që Shqipëria i ka bërë Çadit. “Sot duhet të kishte ardhur patjetër përfaqësimi politikë i Ministrisë së Mbrojtjes, sepse dhe një herë që pyetjeve këtu nuk mund tu përgjigjet drejtori i drejtorisë juridike. Këto kanë të bëjnë me përgjegjësi politike. Ka një informacion publik, sipas të cilit, Ministria e Mbrojtjes ka furnizuar me armë formacione ushtarake në Çad. Dhe unë dua të pyes, nëse ky ka qenë një veprim me përgjegjësi nga Ministria e Mbrojtjes apo ka qenë dhe Kryeministri në dijeni të këtij fakti”, - tha Koçi. Pavarësisht kundërshtimit të deputetëve opozitarë, për shkak edhe të detyrimit kohor që lind nga marrëveshja e nënshkruar me BE-në dhe Francën, kreu i këtij komisioni, Leonard Demi ka nxituar ta miratojë aktin normativ me vetëm 5 votat e deputetëve të mazhorancës, duke i hapur rrugë kështu kalimit të tij për miratim ditën e hënë në Kuvend. Ndërkohë që kundra një marrëveshjeje të tillë është shprehur dhe deputeti demokristian Jak Ndoka, i cili në shenjë proteste për mosardhjen e Ministrit të Mbrojtjes është larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja. Forca ushtarake shqiptare që do të marrë pjesë në këtë mision, do të jetë e përbërë nga 62 efektiva dhe që do të rinovohet në çdo 6 muaj. Ata do jenë pjesë e operacionit “EUFOR Tchad/RCA”, i cili përbëhet nga 3700 trupa ushtarakësh.