E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet, Moisiu dhe Meidani në krah të Topit

Dy ish-presidentët, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, kanë mbështetur pasardhësin e tyre, Bamir Topi, në lidhje me dekretet për 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë, të bllokuara nga Parlamenti. 

Sipas Alfred Moisiut, situata në të cilën ndodhet ky proces nuk është aspak normale. "Nuk më duket absolutisht normale. Këtu kryetarja e Parlamentit po i atribuon vetes disa kompetenca, të cilat nuk ia jep as Kushtetuta, as ligji. Dekretet e Presidentit janë dekretet e kryetarit të shtetit dhe, pavarësisht se jemi republikë parlamentare, nga Parlamenti rrjedhin të gjitha institucionet kryesore të shtetit, duke filluar nga presidenti", tha Moisiu. Sipas tij, dekretet e presidentit nuk mund të sorollaten siç po ndodh tani. Paraardhësi i Bamir Topit sjell sërish në vëmendje një rast analog gjatë kohës që ishte në krye të shtetit. "Më vjen keq ta them që një dekret i imi i vitit 2005, ku është emëruar si anëtare e Gjykatës së Lartë, gjyqtarja Gjinovefa Gaba, akoma nuk ka marrë përgjigje nga Parlamenti dhe kjo është përgjegjësi e gjithë politikës shqiptare jo vetëm maxhorancës, por dhe opozita, e cila e ka ditur këtë gjë dhe ka ngelur në heshtje, ose ka hedhur ndonjë fishekzjarr në të rrallë", u shpreh Moisiu. Ndërsa ish-presidenti Rexhep Meidani kërkoi dje një bashkërendim mes institucioneve. "Unë do të thosha që gjithnjë është e nevojshme një bashkërendim institucionesh, në këtë rast unë nuk e kuptoj ku qëndron thelbi i problemit. Me sa kam parë unë nga mediat, kandidaturat janë tepër serioze", tha Meidani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›