E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i njerëzve: Shqipëria dështoi

 

ADI SHKEMBI

Shqipëria është një vend burimi për gra dhe vajza të trafikuara për qëllime të shfrytëzimit seksual për përfitim dhe punë të detyruar, por ajo nuk konsiderohet më si një vend kryesor tranziti.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar dje raportin e përvitshëm të trafikimit të qenieve njerëzore në të gjithë botën, në një konferencë për shtyp. Raporti bën një përmbledhje të përpjekjeve të 170 vendeve të botës për të luftuar format më të rënda të këtij trafikimi. Sipas raportit, Shqipëria ka rënë nën nivelin e vitit 2002. Për 6 vjet me radhë, Shqipëria renditej në kategorinë e dytë, ndërsa këtë vit është përfshirë në listën e vendeve nën vëzhgim të kësaj kategorie, duke shënuar një hap prapa. "Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria e Shqipërisë është vendosur në Listën e Vrojtimit të Grupit 2 për shkak se dështoi të demonstronte prova të përpjekjeve në rritje për të luftuar trafikimin gjatë vitit të shkuar, sidomos në fushën e mbrojtjes së viktimave", thuhet në raport, teksa shtohet se, qeveria shqiptare nuk ka demonstruar se po heton apo ndjek penalisht në mënyrë energjike zyrtarët fajtorë.
Rekomandime
Pjesë e këtij raporti janë dhe një sërë rekomandimesh për qeverinë shqiptare, me qëllim parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore. "Të hetojë dhe ndjekë penalisht në mënyrë energjike krimet e trafikimit të qenieve njerëzore si dhe bashkëfajësinë e zyrtarëve ligjzbatues në trafikim, si dhe të ndëshkojë dhe dënojë personat përgjegjës për akte të tilla", thuhet në raport. Gjithashtu, Shqipërisë i rekomandohet të përforcojë trajnimin e zyrtarëve ligjzbatues brenda sektorit të Antitrafikut; të sigurojë zbatimin e plotë të mekanizmit kombëtar për referimin e viktimave tek ofruesit e shërbimeve dhe të rrisë financimin për shërbimet e ndihmës dhe mbrojtjes së viktimave. Në pikën e "ndjekjeve penale", në raport thuhet se, qeveria shqiptare nuk paraqiti fakte bindëse për përparim në përpjekjet ligjzbatuese për të luftuar trafikimin njerëzor gjatë vitit 2007. Vitin e kaluar u ndoqën penalisht 49 trafikantë dhe u dënuan shtatë të tjerë për kundërvajtje për trafikim njerëzor. "Gjatë periudhës së raportimit, njësitë rajonale Antitrafikim të policisë mbetën të trajnuara dobët dhe të pajisura keq për të trajtuar efektshëm trafikimin njerëzor për shkak të burimeve të pamjaftueshme, ndikimit të korrupsionit", theksohet më tej në raport.
Mbrojtja
Një tjetër kritikë për qeverinë vjen dhe në fushën e mbrojtjes. "Qeveria e Shqipërisë dështoi në vazhdimin konsekuent të përpjekjeve për të identifikuar, referuar, mbrojtur dhe riintegruar viktimat e trafikimit gjatë vitit 2007", thuhet në raport. Gjithashtu, në vëzhgimin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se, qeveria nuk paraqiti fakte se bën përpjekje të parandalojë angazhimin në trafikim apo shfrytëzimin e viktimave të trafikimit nga ana e trupave të saj paqeruajtëse të dislokuara jashtë vendit. "Ministria e Kulturës dhe Turizmit prodhoi pankarta që po vendosen në të 15 pikat e kalimit të kufirit për të dekurajuar turizmin e seksit të fëmijëve dhe për të ndërgjegjësuar kufi-kaluesit se marrëdhëniet seksuale me fëmijë përbëjnë një krim në Shqipëri", vijon më tej raporti i DASH-it.

Raporti

• Shqipëria është një vend burimi për gra dhe vajza të trafikuara për qëllime të shfrytëzimit seksual, për përfitim dhe punë të detyruar; ajo nuk konsiderohet më si një vend kryesor transiti.
• Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë.
• Shqipëria të hetojë dhe ndjekë penalisht në mënyrë energjike krimet e trafikimit të qenieve njerëzore si dhe bashkëfajësinë e zyrtarëve ligjzbatues në trafikim, si dhe të ndëshkojë dhe dënojë personat përgjegjës për akte të tilla.
• Qeveria e Shqipërisë nuk paraqiti fakte bindëse për përparim në përpjekjet ligjzbatuese për të luftuar trafikimin njerëzor gjatë vitit 2007.
• Gjatë periudhës së raportimit, njësitë rajonale Antitrafikim të policisë mbetën të trajnuara dobët dhe të pajisura keq për të trajtuar efektshëm trafikimin njerëzor për shkak të burimeve të pamjaftueshme, ndikimit të korrupsionit.
• Qeveria e Shqipërisë dështoi në vazhdimin konsekuent të përpjekjeve për të identifikuar, referuar, mbrojtur dhe riintegruar viktimat e trafikimit gjatë vitit 2007.
• Qeveria nuk paraqiti fakte se, bën përpjekje të parandalojë angazhimin në trafikim apo shfrytëzimin e viktimave të trafikimit nga ana e trupave të saj paqeruajtëse të dislokuara jashtë vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›