E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mediu shpejt pa imunitet”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, një ditë pas qëndrimit të ashpër të ambasadorit amerikan për çështjen "Mediu", shprehet se shumë shpejt do të merret vendimi për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. 

BLEDAR HOTI

"Shumë shpejt Mediut do t'i hiqet imuniteti. Por mendoj se hetimi duhet të jetë i paanshëm dhe i gjithanshëm, i bazuar në fakte dhe në prova. Parlamenti është i vendosur për të hequr imunitetin. Kjo është përsëritur disa herë dhe do të ndodhë shumë shpejt. Këshilli i Rregullores ka filluar punën për raportin. Unë mendoj që, ndërkohë që hartohet raporti, do të vijnë edhe dokumentet shtesë që deputetët, anëtarë të Këshillit kanë kërkuar", deklaroi Topalli. Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që të shkohet në thelbin e çështjes dhe besoj se çështja më e rëndësishme për Parlamentin në këtë rast është të kalojmë ligjin për kufizimin e imunitetit, për të gjithë deputetët. "Do hiqet imuniteti i zotit Mediu, pavarësisht se si do të jetë raporti, ka ardhur dosja tjetër për deputetin Paturri, ndoshta është në rrugë një tjetër dosje", theksoi Topalli. Ndërkohë që ajo i qëndron idesë për votimin e ligjit për kufizimin e imunitetit. "Unë mendoj se duhet t'i shkojmë problemit në rrënjë. Kjo do të thotë që menjëherë, edhe opozita uroj të fillojë punën në nënkomisionin e Ligjeve, për të sjellë në komisionet e tjera dhe më pas në seancë plenare, ligjin për kufizimin e imunitetit, por jo vetëm të imunitetit të deputetëve, por të gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë atyre që kanë imunitet", theksoi Topalli. Ndërsa PR-ja me anë të nënkryetarit  të Përgjithshëm të saj, Aleksandër Garuli, për imunitetin e Mediut i cilësoi qëndrimet e opozitës si presione ndaj organit të Prokurorisë, me qëllim moszbardhjen e plotë të ngjarjes. "PR-ja dhe zoti Fatmir Mediu do të mbështesin pa rezerva një hetim të paanshëm dhe të drejtë për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec. Edhe në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, zoti Mediu shpjegoi atë që kishte ndodhur në Gërdec dhe pas kërkesës së Komisionit për dokumente shtesë, ai kërkoi shqyrtimin për heqjen e imunitetit të tij që në seancën e parë të mundshme të Kuvendit", deklaroi Garuli. Ndërsa demokristianët, nëpërmjet Ndue Shpanit, sulmuan dje kryeparlamentaren Topalli për vonesat në shqyrtimin e çështjes së imunitetit Mediu. Shpani kërkoi shqyrtimin e menjëhershëm të çështjes për heqjen e imunitetit, duke u shprehur kundër kërkesës së Topallit për dokumente shtesë, duke e cilësuar si zvarritje të këtij procesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›