E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kryeministri dhe Topalli, presion ndaj Ina Ramës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi Kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren Topalli se po bëjnë presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. 

"Nuk mund të lejojmë sot që ata që shkaktuan Gërdecin të fajësojnë Prokurorinë e Republikës dhe nga të pandehur të opinionit publik të kthehen në inkuizitorë publikë të përfaqësuesve kushtetues të akuzës", tha Rama. Sipas tij, "përgjegjësit nuk duhet të fajësojnë Prokurorinë për atë ç'ka ndodhi në Gërdec". Presionit antikushtetues e antiligjor mbi Prokurorinë e Republikës, me synimin e turpshëm pengimin e hetimeve për Gërdecin. "PS-ja nuk mund të lejojë në asnjë mënyrë që forcat qeveritare të përfitojnë nga politika jonë e re e ndarjes së qartë të pushteteve e të punëve mes politikës dhe drejtësisë", tha Rama. Kreu socialist shtoi se vendimi i PS-së për të mos rritur presionin publik për Gërdecin, ka qenë pjesë e politikës së re, që ka të bëjë me respektimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe jo politika e vjetër e përshkallëzimit të konfliktit për fajësinë e kundërshtarit, pa i dhënë drejtësisë as kohën e as mundësinë të flasë. Kreu i selisë rozë i bëri apel drejtuesve të maxhorancës që të mos venë dorë në hetimet e Gërdecit. "Ta harrojnë Sali Berisha, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu dhe të gjitha forcat qeveritare se, pasi hodhën në erë njerëzit e pafajshëm në Gërdec, do të hedhin në erë edhe hetimet për zbardhjen deri në fund të saj", tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›