E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet, PD e PS ende në dilemë për votën në Kuvend

Partia Demokratike nuk shprehet ende për gjashtë kandidaturat e paraqitura për në Gjykatën e Lartë, ndërsa socialistët vlerësojnë emrat e paraqitur, duke bërë të ditur se, fjalën përfundimtare do ta thotë grupi i PS-së. 

BLEDAR HOTI

Votimi për 6 anëtarët pritet të bëhet të hënën ose të martën në Parlament. Komisioni parlamentar i Ligjeve ka zhvilluar seancën e parë dëgjimore me gjashtë kandidatët e paraqitur për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Komisioni parlamentar i Ligjeve pritet të hartojë raportin për gjashtë kandidaturat, duke i cilësuar emrat që plotësojnë kriteret. Mësohet se komisioni parlamentar i Ligjeve nuk do të shprehet se, cili prej kandidatëve duhet të votohet apo jo. Kjo mësohet se është përcaktuar në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura nga ana e Komisionit të Ligjeve. I vetmi debat që është zhvilluar aty ka qenë mes deputetit të PD-së, Pal Dajçi dhe Elmaz Sherifi të PS-së. Demokrati i është drejtuar socialistit në acarim e sipër se "ti nuk je jurist, por elektricist".
Debati për letrat nga populli
Në dosjet e deputetëve për kandidatët e paraqitur ishin përfshirë edhe disa nga letrat e sjella nga persona të veçantë, në lidhje me disa prej kandidatëve të ndryshëm. Shumë letra kishin të bënin kryesisht vetëm me një prej kandidatëve të paraqitur, për Majlinda Andrean. Disa qytetarë kishin paraqitur letra kundër saj. Por socialistët e kanë cilësuar normale një veprim të tillë. "Kur ka pasur gjyqtar në vendimet e tyre, ka pasur edhe të prekur kështu që nuk mund të merren në konsideratë letra të tilla. Ne duhet të marrim në konsideratë letrat e institucioneve shtetërore të specializuara, si KLD, Ministria e Drejtësisë", deklaroi Xhafaj. Sipas tij, kjo që ka ndodhur nuk është korrekte, pasi nuk është seancë për të dëgjuar qytetarët, pasi ata mund t'i drejtoheshin presidentit për këtë çështje. Ndërsa sipas Bejës, letrat e paraqitua duhet të merren në konsideratë, pasi janë reagime të qytetarëve. Ndërsa kundër qëndrimit të Bejës, doli demokrati Dashnor Sula, i cili kërkoi që puna e komisionit të bazohet në raportet zyrtare. Ndërsa Peçi ka debatuar me Bejën në lidhje me letrat, duke u shprehur se, "ne nuk jemi në seancat kur bëheshin anëtarësimet në kohën e PPSH-së, kur i bëhej pyetja nëse je i gatshëm të vdesësh për partinë ose jo?". "Kjo s'ka lidhje me Partinë e Punës, e ky nuk është krahasim i gjetur", iu drejtua Beja, Peçit. Deputeti Klosi ka deklaruar se "Zoti Ministër Beja jo, nuk është normale që të përfshihen edhe karakteristikat e shkollës së mesme apo të lartë, kur ka 10 apo 20 vjet. Se këtu mund të mbledhim dhe ne letra për ju se ti do të dalësh në seancë dëgjimore". "Zoti Klosi se je ende i ri, së pari mua duhet të më drejtohesh si kryetar komisioni, mos bëj politikë banale këtu", theksoi Beja. Ai shtoi se, askush nuk mund të trembet për letrat e paraqitura, pasi nuk mund të injorojmë asnjë informacion, që vjen nga institucionet jo zyrtare.
Raportimi i kandidatëve
Aleksandër Muskaj ka qenë i pari kandidat që bëri ekspozenë e punës së tij ndër vite. Në adresë të këtij kandidati nuk ka pasur pyetje. Kandidatja tjetër, Arjana Fullani ka bërë ekspozenë e punës së saj, duke e cilësuar si një ambicie të çdo juristeje apo gjyqtareje caktimin në Gjykatën e Lartë. Andi Çeliku ka qenë i habitur për letrën e paraqitur nga dekani për shkollën e tij, pasi sipas tij ka qenë vetë ministri, dekan Kudret Çela që e ka emëruar në poste drejtuese më pas. Pyetjet e vetme i janë drejtuar kandidates Qirjako. Ajo i është përgjigjur deputetëve Sulaj të PD-së dhe Majko të PS-së.

Arjana Fullani
Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk disponojnë ndonjë vlerësim negativ për këtë kandidaturë. Fullani ka një kontribut të vyer si drejtuese e shkollës së Magjistraturës, e cila ka drejtuar për disa vite radhazi këtë institucion. Ajo është dekoruar dhe nga Presidenti i Republikës për kontributin që ka dhënë në fushën e botimeve dhe të legjislacionit shqiptar. Para komisionit të Ligjeve, Fullani u shpreh se do të ishte e nderuar, nëse Kuvendi do t'i jepte të drejtën e qenies anëtare e Gjykatës së Lartë.

Majlinda Andrea
Raporti i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe raporti i Inspektoratit të KLD-së, për punën e saj si gjyqtare nuk jep vlerësime pozitive. Në adresë të kësaj kandidateje ishin depozituar disa letra nga qytetarë të ndryshëm për punën e saj të bërë si gjyqtare e Gjykatës së Rrethit të Durrësit. KLD në shkresën e saj vëren se "në adresë të saj ka 15 ankesa individuale, por nuk rezulton se ka shkelje dhe nuk ka masa disiplinore ndaj saj". Vetëm për Andrean KLD ka të dhëna të plota.

Aleksandër Muskaj
Anëtar i KLD-së aktualisht, por sipas shkresës së Ministrisë së Drejtësisë, më përpara Muskajt i është masa disiplinore "vërejtje" kur ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë, gjatë vitit 1997. Kjo masë është marrë për shkak të mungesave të tij në punë. Sipas KLD-së, ndaj tij si gjyqtar janë regjistruar 20 ankesa, por nuk rezulton të jetë iniciuar procedim disiplinor ndaj tij. Ky vlerësim lidhet me periudhën nga viti 1998 deri në shkurt të vitit 2008. Muskaj u shpreh se do të kontribuojë në forcimin e sistemit të drejtësisë.

Guxim Zenelaj
Në informacionin zyrtar të KLD-së theksohet se, ndaj kandidatit Zenelaj nuk rezulton të ketë ndonjë masë disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës së gjyqtarit. Zenelaj që nga viti 2006 është anëtar i KLD-së. Ai është zgjedhur po nga parlamenti, duke zëvendësuar në këtë post Pranvera Strakoshën. Zenelaj mbaroi shkollën e lartë universitare në vitin 1990, ka qenë edhe Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, kryetar gjykate në Tropojë. Në fjalën e tij ai u shpreh se, ka përvojë të madhe në sistemin gjyqësor dhe do të ndikonte akoma më tej.

Andi Çeliku
Edhe për këtë kandidaturë KLD-ja nuk ka ndonjë informacion për shkelje, apo për ndonjë masë ndëshkimore. Kjo lidhet për faktin se KLD-ja disponon informacione vetëm pas datës 20 shtator 1997. Çeliku ka ushtruar mbi 10 vjet profesionin e avokatit. E vetmja vërejtje ndaj tij i përket shkollës, ku dekani i atëhershëm i Fakultetit, Çela shkruante në vitin 1991 se "Çeliku është dalluar si student që ka punuar në mënyrë josistematike. Ka mundësi që të arrijë rezultate më të mira".

Evelina Qirjako
Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka paraqitur ndonjë vërejtje në lidhje me këtë kandidaturë të paraqitur nga presidenti. Arsyet se pse nuk janë bërë prezent lidhet me faktin se, s'ka ndonjë shkelje, si dhe nuk ka pasur mundësi pasi KLD administron vetëm aktet e vendimet e marra vetëm pas datës 29.07.1997. "Jam specializuar në fusha të veçanta si bankare dhe e drejta tregtare. Mesatarisht në vit kam mbi qenë avokate në 100 gjyqe. Kam marrë titullin arbitër", deklaroi Qirjako në komision. Ajo ka një studio të dëgjuar ligjore.

debati ne komision

Dashnor Sulaj: Ju keni një studio mjaft të njohur, zonja Qirjako ç'ju shtyn për të qenë anëtare gjykate, kur keni goxha përfitime materiale?
Evelina Qirjako: Një jurist që do të ecë dhe që ka grumbulluar një përvojë të tillë nuk ka asnjë lloj problemi nëse kandidon për një gjë të tillë. Paraja nuk është gjithçka në jetë dhe për mua nuk është arritje primare e punës sime dhe karrierës sime.
Dashnor Sulaj: Nëse merrni pëlqimin nga Kuvendi do e mbani studion hapur?
Evelina Qirjako: Normale që do e mbyll studion nëse marr pëlqimin.
Dashnor Sulaj: Nëse jeni anëtare e Gjykatës së Lartë, a do i merrni në shqyrtim çështjet që keni qenë dikur avokate, keni konflikt interesi?
Evelina Qirjako: Unë jam aty për një diçka tjetër, normalisht kush ka konflikte apo njohje nuk përfshihet në çështje, e përmban edhe Kodi i Procedurës. Jam aty për një qëllim tjetër, s'jam për klientët e mi aty.
Pandeli Majko: Zonja Qirjako, pse e keni vënë kombësia Shqiptare në curriculum-in tuaj?
Fatos Beja: Nuk ka ndonjë paragjykim për kombësinë
Evelina Qirjako: Vij nga fshatrat e minoritetit grek dhe mendoj se nuk është problem për të kandiduar në Gjykatën e Lartë. Edhe këtu ka minoritarë në komisionin parlamentar.
Fatos Beja: Normale, askush nuk ju pengon, kjo është e drejta e juaj.
Andi Çeliku: Kam mbaruar shkollën me një mesatare mbi mesataren, sipas deklaratës, që po tregon zoti Klosi. Sipas letrës paskam qenë një student josistematik. Pavarësisht nga kjo po ai dekan, si ministër i Drejtësisë më ka emëruar në 1992. Jam emëruar gjyqtar i shkallës së parë në Tiranë dhe po ai zotëri më ka propozuar në '93 për nënkryetar të Shkallës së Parë në Tiranë. Qenia josistematik ka të bëjë me të qenit sportist, andej nga viti i tretë shpirtëror mbase se, kështu i bie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›