E Diel, 1 Nëntor 2026

“Non grata” për çiftin egjiptian, Gjykata rrëzon urdhrin e Nishanit

TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje të rrëzonte një urdhër të 

ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, për shpalljen "non grata" dhe përzënien nga territori shqiptar të një çifti egjiptianësh, që jetonin prej 11 vitesh në Tiranë dhe që ishin ndjekës të besimit mysliman. Shkak për pranimin e padisë dhe anulimin e urdhrit të ministrit ishte lindja në territorin shqiptar të një fëmije nga çifti i egjiptianëve, i cili mban shtetësinë shqiptare. Padinë në ngarkim të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit e kishte depozituar në gjykatë, pesë muaj më parë shtetasi egjiptian Abdelaziz Ibrahimi, të cilit së bashku me gruan u ishte kërkuar të largoheshin nga territori shqiptar. Objekti i padisë ishte: "Anulimin e urdhrit të Ministrit të Brendshëm numër 960/1, datë 15 mars 2008 që bën fjalë për largimin nga territori i Republikës së Shqipërisë të dy shtetasve të huaj, si dhe shkresa numër 960/1 protokolli, datë 15 mars 2008 e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Emigracionit". Përfaqësuesit ligjorë të palëve të paditura, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Emigracionit pohuan se, ministri Nishani e kishte nxjerrë një urdhër të tillë bazuar në një informacion që i kishte dhënë Shërbimi Informativ Kombëtar. Juristët pohuan në proces se ky informacion ishte sekret dhe nuk mund t'i dorëzohej trupit gjykues. Por edhe pas kësaj, urdhri i ministrit nuk përmbante asnjë argument ligjor për përzënien nga territori shqiptar i dy shtetasve egjiptianë, për më tepër që në dokumentin që mban firmën e ministrit nuk është përmendur fakti i fëmijës dy vjeç me shtetësi shqiptare, që mbetej pa mbështetje nëse prindërit largoheshin nga Shqipëria. Fëmija sipas ligjeve në fuqi, ka fituar shtetësinë që në momentin, që ka lindur në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në vendimin e djeshëm veç anulimit të urdhrit të ministrit Bujar Nishani, gjykata vendosi të detyronte ministrin të nxirrte një urdhër tjetër, të favorshëm për fëmijën dyvjeçar, i cili është shtetas shqiptar dhe gëzon të gjitha të drejtat qytetare. Sipas gjykatës, nëse prindërit përziheshin nga territori shqiptar, atëherë fëmija mbetej i vetëm pa asnjë mbështetje.               fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›