E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri, Jozefina dhe Lekë Dukagjini

Armela Imeraj 

Kanuni i Lekë Dukagjinit
Neni: 1122 Fiala e randë nuk bahet në Kuvend
Neni: 1123 Kanuja s'ban që të shahet kush në Kuvend, po bani kush kët punë do të giobitet mje në 5 desh (gjobitet një në pesë desh)
Ky leksion vjen nga vitet 1400 si me porosi për kryeministrin tonë dhe servilët e partisë së tij, që e morën pa asnjë droje "e bajtën pasi shau në Kuvend". Leksioni flet për Kuvendin e kohës kur shqiptarët ende dyluftonin me shpata dhe kur Lekë Dukagjini shkroi Kanunin e tij për të vënë ca kufij të arsyeshëm në bashkëjetesën mes fiseve. Në librin e princit të famshëm nuk thuhet gjëkundi se po u ndjeve i provokuar kur flet tjetri, të lind e drejta të shahesh me të, lëre pastaj t'i përgojosh motrën e nënën.
Madje, sipas Kanunit kryeministri ynë jo vetëm s'mund të justifikohej për fjalën e randë po i detyrohet Taulant Ballës:
a - një të pestën e pasurisë
b - një të pestën e "deshëve" në Kuvend
c - një të pestën e "deshëve" në qeveri
Sigurisht që këtë deduksion logjik e bëj vetëm e vetëm për të treguar se në Parlamentin e Sali Berishës dhe Jozefina Topallit koha ka ikur mbrapa. Përtej vitit 1400. Diku në një terr që s'ka as ligj, as rregulla, as elementë fillestarë të qytetërimit tonë. Vetëm me ligjësitë arkaike të atij terri mund të shpjegohet fakti se nuk dënohet agresori i kapur në flagrancë para syve të një populli të tërë po viktima e tij. Vetëm prej atij terri të dhunshëm agresori mund të shfaqet si viktimë dhe të akuzojë viktimën për agresion. Vetëm në Shqipëri një njeri që s'mund të ishte as kryetar fisi dhe madje as i dëshiruar në mexhelisin e vitit 1400 mund të jetë kryeministër në shekullin XXI.
Por të kuptohemi, nëse ai nuk kërkon ndjesë dhe arrin deri aty sa pa pikën e turpit na thotë që provokatorët e kishin hak atë kërdisje rrugaçërore, ky nuk është vetëm problemi i tij. Ky është edhe problemi ynë. Jemi ne që e kemi ngjitur në majë të pushtetit. Jemi ne që i kemi dhënë edhe Jozefinën në krah që të "tërheqë për zhelesh" deputetët, pasi zoti Berisha i dhunon mirë e mirë. Këtë problem të madh nuk mund të presim të na e zgjidhë kryeministri. As zonja Topalli. Nga ata duhet të presim të tjera të shara dhe "tërheqje për zhelesh".
Këtë problem duhet ta zgjidhim ne. Ne të gjithë, qytetarët e këtij vendi. Ne që duhet t'i japim fund kësaj politike të ulët njerëzish që s'kanë turp të gënjejnë, të shajnë dhe pastaj të të bëjnë fajtor. Ne shqiptarët që rrisim fëmijë në Shqipëri dhe kur të votojmë duhet ta hedhim votën për ta jo për politikanët si Sali Berisha dhe Jozefina Topalli.
Justifikimi i palogjikshëm i Kryeministrit tonë, e theksoj tonë, nuk është i denjë as për fëmijën tim 4-vjeçar, tek e mësoj të mos zihet me fëmijët e tjerë, dhe marr justifikimin "më shau ai i pari". Ky kryeministër nuk i duhet askujt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›