E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano-Rama-Meta, përse do takohen…

Martin Leka 

Fatos Nano, Edi Rama dhe Ilir Meta do të takohen së shpejti…
Nëse deri tani shumë njerëz publikë, politikë apo analistë hipotezojnë për një takim të tillë, ajo që ndihet dhe që duhet të ndodhë është pikërisht jo hipoteza, por "hipotekimi" i një takimi të tillë.
Deputeti dhe miku im Arben Malaj, në një intervistë për një të përditshme 3 ditë më parë, linte të kuptohej pikërisht këtë gjë. Sipas tij, është koha për të harruar mëritë e vjetra dhe për një bashkim të aktorëve e faktorëve politikë të së majtës dhe bashkimin e opozitës në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme, të çmontohet pushteti i sotëm i Sali Berishës. Pothuajse në të njëjtën linjë politike por me arsyetim të ndryshëm, ishte edhe analisti dhe kryetari i KMK-së, Artur Zheji, gjatë një interviste për një nga televizionet e Tiranës.
Një takim Nano-Rama-Meta duket qartë se nuk është pjellë e fantazisë apo një intrigë politike, por është më shumë se kurrë një domosdoshmëri. Kjo për shumë arsye, disa prej të cilave po mundohemi t'i trajtojmë.
E para, ka të bëjë me pushtetin okult dhe të korruptuar të qeverisjes së kryeministrit Berisha. Po të analizosh me vëmendje qeverisjen pak më shumë se trevjeçare të Berishës, nuk do shumë mund të kuptosh e perceptosh një qeveri të premtimeve të pambajtura; një qeveri antipopullore, një qeveri të korruptuar, një qeveri të njehsuar me një nga ngjarjet më kriminale e korruptive e të pagëzuar si "Qeveria e Gërdecit".
Si të mos mjaftonin të gjitha këto, ndodhi edhe ajo që nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë jo vetëm në Parlamentin shqiptar, por besoj as në parlamentet e vendeve të botës së tretë. Kryeministri në një shkarje apo sëmundje të ç'ekuilibrimit patologjik, publikisht, para syve tanë, shau me gjuhën e rrugës dhe kërcënoi një deputet të Parlamentit shqiptar. Degradimi deri në këtë pikë i figurës së shefit të qeverisë padyshim është dhe duhet të merret si pikë reference nga më negativet jo vetëm për të, por për të gjithë qeverisjen dhe maxhorancën. 
Nga ana tjetër kemi opozitën. Të gjithë jemi dëshmitarë të një opozite të ndarë e të përçarë, të një opozite të mefshtë, të një opozite pa forcë e pa ide, madje të një opozite që për çudi, e ka ndihmuar kryeministrin në jetëgjatësinë e tij politike. Vlen të saktësohet fakti se jo gjithë opozita ka qenë në të njëjtin nivel, pasi për hir të së vërtetës, duhen veçuar partitë e opozitës që drejtohet nga LSI-ja, e cila shpesh ka qenë ballë të opozitës dhe të vetme. Përmendim këtu protestën kundër ndryshimeve kushtetuese, apo të tjera nisma të vlerësuara si antidemokratike (apo që i japin kryeministrit një pushtet të pakufizuar) dhe që cenojnë integritetin dhe funksionimin e institucioneve, ndryshime të bëra edhe me "zemërgjerësinë" e PS-së.
Politika e opozitës në tërësi është e perceptuar domosdo si e tillë edhe në bazën e saj. Edhe në bazën e partive opozitare ka socialistë që kundërshtojnë nismat e Ramës lidhur me bashkëpunimin për një sërë çështjesh me pozitën (ka dhe nga ata që thonë se mirë e ka); ka plot socialistë të tjerë që mendojnë se vetëm LSI-ja e Metës po e bën opozitën e vërtetë; ashtu siç ka edhe socialistë që "presin" të shfaqet Nano, të cilin kurrsesi nuk e konsiderojnë në "pension politik". Madje, dy nga politikanët me peshë në PS qoftë dikur, qoftë tani me promovimin e politikës së re të zotit Rama, Ruçi e Dokle, janë shprehur me nota pozitive për rikthimin e Nanos në politikën aktive. I pari para pak kohësh është shprehur se, "Nano është i mirëpritur në PS", kurse i dyti se "në PS i kishte marrë malli për Nanon". Duke parë ndjeshmërinë politike që ka ndaj këtyre dy politikanëve të lartë të PS-së vetë zoti Rama, percepsioni të çon në përfundimin se për deklarata të tilla është "për dijeni e miratim" edhe vetë kryetari i PS-së.  
Ajo që i bashkon të tërë socialistët, të tërë të majtët në përgjithësi, të tërë përkrahësit e Nanos, të Ramës, të Metës, janë interesat e tyre jetike e të përbashkëta: bashkimi i tyre për rrëzimin e këtij pushteti që administron jo pushtetin e tyre, por interesat e tij.
Pikërisht këto kërkesa të elektoratit të majtë dhe aspiratat e të gjithë përkrahësve të tyre përbëjnë si domosdoshmëri takimin e përfolur Nano-Rama-Meta. Takimi i këtyre liderëve të majtë nuk është dhe nuk duhet të jetë një takim formal dhe interesash të ngushta. Po të ishte kështu, ata nuk kanë pse të takohen. Simbolika e një takimi të tillë ka pikërisht atë për të cilën flet edhe Arben Malaj, një ndër liderët e PS-së: interesat e mëdha të elektoratit opozitar, interesat e qytetarëve të dhunuar në mirëqenie, në demokratizim, në prosperitet. Ka të bëjë me interesat e tyre të dhunuara nga amendimi i Kushtetutës dhe refuzimi për t'i pyetur ata.
Pikërisht këto interesa madhore dhe jetike të elektoratit opozitar e kërkojnë takimin e treshes Nano-Rama-Meta. Këto bëjnë të besohet se do të ketë një takim të tillë. Domosdoshmërinë dhe përshpejtimin e këtij akti politik e publik e përshpejton pikërisht agravimi i situatës politike, degjenerimi banal i Parlamentit me fjalor rruge e zhelesh…
A do të jenë të tre në takim, edhe Nano, edhe Rama, edhe Meta?
Duhet, por nuk dihet ende. Një gjë duhet të jetë e qartë: Kush do të mungojë, do të duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë e madhe historike përballë elektoratit të majtë. Ai do të jetë njëkohësisht edhe autori që i jep "licencë" Berishës të shajë me libër shpie…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›