E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet, PD rrëzon Presidentin

  Debati, PD rrëzon dekretet e Presidentit Topi

TIRANË- Kanë dështuar përpjekjet njëjavore të mazhorancës për të gjetur një konsensus me Presidentin për pesë dekretet për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Deputetët e djathtë në Komisionin e Ligjeve janë deklaruar hapur dje kundra procedurës së ndjekur nga kryetari i shtetit për përzgjedhjen e kandidaturave, duke vendosur njëkohësisht që t'i paraqesin seancës plenare për votim, raportin vlerësues të kësaj procedure dhe jo 5 emrat e gjyqtarëve të propozuar nga Presidenti. Ndërkohë, nga ana e saj, opozita ka vlerësuar këtë praktikë si antiligjore dhe rënie të shtetit të së drejtës, pasi, sipas tyre, Komisioni i Ligjeve fillimisht dhe seanca më pas, ka për detyrë që të japë vlerësimin me votë vetëm për kandidaturat dhe jo të vendosë të kthejë dekretet e numrit një të shtetit, pa i marrë ato në shqyrtim. Debati Ndërsa opozita ka kërkuar që komisioni të diskutojë vetëm kandidaturat, mazhoranca e djathtë në komision është përpjekur që në fillim që ta kanalizojë debatin vetëm me procedurat e ndjekura, pa pranuar që të futet në diskutimin emër për emër.

Opozita ka denoncuar fillimisht, faktin se dy prej pesë dekreteve, në kundërshtim me përcaktimin e Rregullores së Kuvendit, vinin për diskutim 1 muaj pasi ishin dorëzuar nga Presidenti. Sipas nënkryetarit socialist të këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, ky fakt tregon qartë se Kuvendi ka rënë preh e luftës së brendshme midis klaneve në PD. Ndërkohë që nga ana e tyre deputetët e djathtë janë përpjekur që të provojnë se një akuzë e tillë nuk qëndron, pasi në rregullore nuk përcaktohet asnjë afat kohor detyrues për Kryetaren e Kuvendit për këtë çështje dhe se Rregullorja dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep asaj të drejtën për të bërë verifikimet e duhura për çdo kandidaturë. Por kjo është konsideruar si e papranueshme nga deputetët e majtë, përfshi këtu dhe deputetin e PBDNJ-së, Spiro Peçi, dhe atë demokristian, Tom Doshi, të cilët kanë vlerësuar se Kuvendi nuk ka të drejtë që të kthejë pa votuar dekretet e Kuvendit.

"Kjo që po kërkoni të bëni ju sot, është absurde. Dekretet nuk mund t'i ktheni pa i votuar, ato tashmë janë një detyrim për Kuvendin që t'i votoni. Dekretet as vetë Presidenti nuk mund t'i tërheqë", - u shpreh deputeti Spiro Peçi, duke i bërë një analizë të hollësishme nga ana juridike çështjes. Mazhoranca Por sipas të djathtëve, debati nuk ka të bëjë me emrat, por me procedurat e ndjekura nga Kreu i Shtetit. Kështu, kryetari i komisionit, Fatos Beja duke folur edhe në emër të deputetëve të tjerë të mazhorancës, është shprehur se kreu i shtetit nuk ka zbatuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të marrë paraprakisht pëlqimin e Kuvendit për kandidaturat e propozuara. "Deputetët e shumicës shprehen se këto dekrete, me këto propozime, janë në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren, ligjin organik",- tha Beja. Ndërkohë që nuk kanë munguar as deklarimet e hapura kundra këtyre dekreteve nga deputetë të veçantë të PD-së, të cilët kanë kërkuar që komisioni të hartojë një raport, ku të evidentohet fakti se propozimet e ardhura nga numri një i shtetit, vijnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës së Lartë. "Unë do të deklaroja votën time kundër dekreteve të ardhurave nga Presidenti, jo për faktin e emrave të ardhur, që unë shumicën i njoh personalisht, po për faktin se nuk janë respektuar procedurat",- u shpreh deputeti i PD-së, Ramiz Çobaj.

Por këmbëngulja e shumicës në këtë argument, është konsideruar nga deputetët e majtë si një luftë që mazhoranca po i bën kreut të shtetit, vetëm se ai ka vendosur pa pyetur më parë Kryetaren e Kuvendit. "Presidenti i vendit, i ardhur nga PD-ja, ka guxuar të dalë jashtë nga gardhi i Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit. Ka guxuar që të mos sjellë kandidatura militante të PD-së, kandidatura të përcaktuara politikisht. Kjo ka ndodhur, kjo është herezia për të cilën ne jemi duke diskutuar dhe debatuar, nuk ka çështje të karakterit formalo- kushtetues",- u shpreh deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Pavarësisht kundërshtimit të opozitës, kryetari i komisionit, Beja, duke mbyllur me nxitim debatet, ka hedhur për votim propozimin që seancës plenare t'i paraqitet një raport, ku të pasqyrohet mendimi kundërshtues i shumicës për procedurën, por edhe qëndrimi pro i opozitës për kandidaturat. Propozimi i Bejës ka marrë dje 9 votat e maxhorancës kundrejt 8 votave kundër të opozitës.

Debatet

BUMÇI: "Kryetarja nuk ka afat për dekretet. Përsa i përket afateve, më duhet të theksoj se, për çështjen e imuniteteve dhe dekreteve nuk ka nevojë të futen në programin e punës". KLOSI: "Po dëgjoja me vëmendje zotin Bumçi, sepse nuk e prisja që ai, si me eksperience, si ishministër nuk ma priste mendja se do fliste politikisht. Ai duhet të jepte argumente se çfarë do të ndodhi. Neve nuk po kuptojmë se çfarë do të thotë me termin "pëlqim". Pëlqimin e jep me votë në seancë. Pra, kjo nuk është e vetmja kërkesë që keni për të pushtuar Gjykatën e Lartë".

BANO: "Po vazhdohet me synime e slogane politike, se gjoja synimi ynë është pushtimi i Gjykatës. Ne, zoti Klosi, kërkojmë vetëm zbatimin e Gjykatës Kushtetuese, që është i janarit të vitit 2005".

XHAFAJ: "Propozoj që në Rregulloren e Kuvendit apo në punën e Komisionit, të shtohet se, sa herë që ka një komisar politik (për Banon) të ardhur nga grupi parlamentar, të flasë sa herë që të dojë".

DERVISHI: "Opinioni i maxhorancës doli qartë se ju keni kundër dekreteve të maxhorancës, hajt ta mbyllim, t'i çojmë për votim".

BEJA: "Këtu deputetët e shumicës, shprehen se këto dekrete, me këto propozime, janë në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren, ligjin organik. Deputetët e pakicës mendojnë se është në rregull. Këto dy mendime do i çojmë në seancë, me një raport. Nuk kemi bërë diskutime për emra konkretë".

KLOSI: "Meqë ju po arrini në konkluzionet tuaja, atëherë jeni drejt përfundimit. Në mendimin e maxhorancës, është se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, të jeni pak më i qartë në konkluzionet e tuaja".

Ligjet, Berisha "heq" dy mbështetësit e Topit

TIRANË- Mazhoranca duket se i ka llogaritur mirë numrat e saj përpara se të thërriste mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku dhe u diskutuan dekretet e Presidentit të Republikës për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Duket se në mënyrë jo transparente, drejtuesit e Partisë Demokratike, duke iu trembur rrjedhjes së votave gjatë votimit të dekreteve, kanë "spastruar" Komisionin e Ligjeve nga deputetët e njohur si mbështetës të presidentit Bamir Topi. Deputetët Dashnor Sula dhe Sali Shehu, dy anëtarët e Komisionit të Ligjeve, janë zëvendësuar dje nga deputetët Luan Skuqi dhe Ilir Bano, të cilët njihen si mbështetës të politikës zyrtare të Partisë Demokratike.

Mbledhja

Përmes një debati jo vetëm me opozitën, por edhe mes vetë grupeve në PD, pas një hezitimi të gjatë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja ka pranuar që të marrë në shqyrtim pesë dekretet e Presidentit të Republikës për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Mbledhja e djeshme, për shkak edhe të debatit paraprak politik që ka shoqëruar këtë çështje ishte vendosur nga Beja që të zhvillohej me dyer të mbyllura për median. Por me propozimin e deputetëve opozitarë, të cilët gjatë pjesës së parë të saj, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve Shehu dhe Sula, ishin në shumicë numerike në krahasim me përfaqësuesit e djathtë, u vendos që mbledhja të vazhdonte me dyer të hapura.

Të gjendur në minorancë në provën e parë të votimit dhe për të siguruar shumicën e nevojshme gjatë diskutimit dhe votimit të dekreteve, përfaqësuesit e djathtë kanë kërkuar kohë dhe kanë ndërprerë mbledhjen, me justifikimin për të kaluar në sallën e madhe ovale, në katin e katërt të Kryesisë, duke ftuar njëkohësisht dhe median të ishte e pranishme. Ndërkohë që deputetët e tjerë të mazhorancës, duke shfrytë- zuar kohën e dhënë, janë përpjekur që brenda pak minutash të rregullojnë nga ana procedurale zëvendësimin e Shehut dhe Sulës, dhe nga ana tjetër, të gjejnë nëpër kryesi deputetët Skuqi dhe Bano, të cilët duket se janë gjetur fare të papërgatitur nga këto zhvillime.

Vetë Bano, në këtë kohë, vazhdonte si zakonisht mbledhjen në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese. Zëvendësimi Kjo është bërë shkak për një debat të ashpër në Komisionin e Ligjeve, ku deputetët e opozitës kanë kundërshtuar ndryshimin e anëtarëve në mes të mbledhjes dhe me të vetmen arsye, marrjen e mazhorancës në komision. Por sipas përfaqësuesve të shumicës, kjo është konsideruar si një procedurë e parashikuar në rregullore, pasi dy deputetët, Skuqi dhe Bano, janë deputetë zëvendësues në Komisionin e Ligjeve dhe të votuar në seancë plenare. Ndërkohë që vetë deputetët Sula dhe Shehu nuk kanë qenë në dijeni të këtij zëvendësimi, pasi dje në mëngjes, janë paraqitur si zakonisht në Kuvend për të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka komentuar me pas për median, arsyet e vërteta të mungesës së tyre, e aq më tepër të zëvendësimit me dy anëtarë të tjerë.

Legalizimet, Bufi: Ankesë në Kushtetuese

TIRANË- Deputeti i PS-së dhe njëkohësisht Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Ylli Bufi, ka deklaruar dje se janë shumë arsye për të cilat ekziston mundësia që ligji i legalizimeve, i miratuar dy ditë më parë në Kuvend, të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. "Besoj se janë shumë arsye për të kaluar në një ankimim në Gjykatën Kushtetuese, sepse disa nga amendamentet, bien ndesh me Kushtetutën.

ALUIZNI, nga një agjenci e bashkërendimit të procedurave për legalizimet, kthehet në një agjenci ekzekutive që i ka të gjitha kompetencat. Madje kalohet në absurditete, në momentin kur agjencia merr kompetenca edhe për çështje të planifikimit të territorit, që është anti-ligjore, anti-kushtetuese dhe për mendimin tim fare pa sens",- tha dje Bufi. Për të njëjtat arsye sa më sipër, ligji për legalizimet u kthye pak kohë më parë për rishqyrtim edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Por mazhoranca nuk mori parasysh një sërë propozimesh të detajuara nga ana e kreut të shtetit, por edhe opozitës, të cilat preknin disa nene, ku pretendohej se ishin prekur kompetencat e pushtetit vendor. "Me sa duket, kthimi që i bëri Presidenti i Republikës, nuk ia arriti qëllimit për të cilin ai e ktheu. Përmirësimet ishin fare të parëndësishme, fare të pandjeshme, madje ndryshimet që u bënë krijojnë më shumë probleme në mënyrën se si do të zbatohet ky ligj", -tha Bufi. Socialistët kanë kërkuar ndryshimin e disa neneve të rëndësishme që kishin lidhje pikërisht me cenimin e kompetencave të pushtetit vendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›