I përplas makina, plagosen dy persona
Korçë- Ishin duke ecur në rrugë, por mbetën të plagosur pasi u përplasën nga një makinë. Të dëmtuarit janë 50-vjeçari Gjergji Mehmeti nga Korça dhe mbesa e tij 4-vjeçe. Sipas policisë të dy banorët e Korçës u plagosën si pasojë e përplasjes nga një mjet me targë KO 0936 B,i drejtuar nga shtetasi Enrik Avxhi, në vendin e quajtur dyqanet e reja. Dy të aksidentuarit ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin civil të Korçës, por jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, hetimet e para për ngjarjen tregojnë se shkak ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën po lëvizte automjeti dhe për pasojë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit. Ai është shoqëruar në komisariat për të dëshmuar rreth aksidentit.