E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat e qeverisë

 

Shqiptarët vijojnë të ngjishen radhëve para konsullatave të vendeve europiane. Për një vizë të shkretë! Shumëkush për të vizituar familjarët, të tjerë për të ndjekur studimet, apo ndonjë kurs a ndeshje sportive, por edhe ata që duan ta thyejnë rregullin, duke qëndruar ilegalisht në vendet e kamura të BE-së. Por viza “Shengen” kushton. Duhet një mal me procedura që të aplikosh për një vizë, duhen treguar vërtetime se ke pasuri të patundshme, se ke ftesë nga pritësi, se e ke prenotuar vendin ku do të rrish, se e ke zgjedhur se me çfarë mjeti do të përfundosh atje. Duhet komunikuar fillimisht me ambasadën. Po si? Shumë thjesht, me 0900-ën një metodë e futur fillimisht nga Ambasada e Republikës Franceze në Tiranë, që u pasua shumë shpejt nga simotrat e saj europiane. Nga ana tjetër e telefonit, nuk të dalin “vajzat e mira” për takime të nxehta online, por aparatura “papagalle” që të reciton se ku duhet të pyesësh, duke të renditur një manual që nuk mbahet mend. Por mban mend se kishe një kartë dhe nuk e ke më. Pastaj vjen procedura e gjatë. Mund të presësh me javë, për të marrë një vizë disaditore.

Por kanë se nga të ngjajnë. Janë më keq ata të Ministrisë së Jashtme, dikasteri që është përgjegjës për shtetasit shqiptarë që duan të udhëtojnë jashtë kufijve shtetëror. Nëse të duhet të pyesësh për vizat, procedurat, pagesën etj., Ministria të vë në dispozicion një numër të gjelbër... me pagesë, sepse ministrisë i kanë sosur numrat e telefonave fiks të Albtelekomit!!!

“Dorëzimi nga ana e zyrtarëve të BE-së i udhërrëfyesit për vizat, është një ngjarje me rëndësi të madhe në historinë e marrëdhënieve midis BE-së dhe Shqipërisë”,- shprehej ministri Lulzim Basha, më 6 qershor 2008 (shih www.mfa.gov.al). Deri kur të sqarohet udhërrëfimi europian për qeverinë, shqiptarët duhet ta gjejnë vetë rrugën për të shkuar në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›