E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekretet, Presidenti Topi pritet të marrë shuplakën e radhës nga PD-ja



Eljona Ballhysa- Presidenti Topi pritet të marrë shuplakën e radhës nga Partia Demokratike në lidhje me dekretet e firmosura prej tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kandidati i tretë i propozuar nga kreu i shtetit për në Gjykatën e Lartë, Vexhi Muçmataj, deklaroi dje në seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, se ka qenë për 2 vjet anëtar i PPSH-së. Pikërisht kjo deklaratë e tij bie ndesh me kriteret e PD-së për të miratuar një kandidat për anëtar të institucioneve të pavarura. Pas kandidatit Sokol Çomo duket se Vexhi Muçmata do të jetë dekreti i dytë që do të rrëzohet brenda së njëjtës seancë nga PD-ja. Megjithatë, vendimi i PD-së do të bëhet publik gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku do të lexohen relacionet e PD-së për secilin nga kandidaturat e paraqitura nga presidenti Topi për Gjykatën e Lartë. Ndërsa gjatë ditës së djeshme, kandidati Muçmataj iu nënshtrua seancës së pyetje-përgjigjeve në Komision, ku deputetët e PD-së nuk hezituan të pyesnin edhe për çështje konkrete gjyqësore.
Seanca
Gjatë kohës së diktaturës Muçmata ka kryer detyrën e hetuesit, por ai tha se nuk i kujtohej të ishte marrë me çështje të karakterit politik. Por ai i ftoi deputetët të shikonin dokumente të kohës, nëse gjendej ndonjë i tillë. “Për shkak të kohës së gjatë nuk mbaj mend saktësisht që të kem hetuar çështje të natyrave politike që parashikoheshin në legjislacionin e kohës. Nëse do të më kujtohej ndonjë, do ta thosha para këtij komisioni, se nuk kam pse ta fsheh. Ajo është me dokumente. Por pjesëmarrja ime, e theksoj, nuk ka qenë për akte kryesore, siç janë aktet që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Unë nuk kam pasur të drejtën e arrestit, nuk kam pasur të drejtën e përfaqësimit të Akuzës në gjykatë dhe të kërkesës për fajësi apo kërkesë dënimi”, - tha Muçmata.
Lidhur me veprimtarinë e tij si prokuror i Tiranës, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj veçoi rastin e arrestimit të një personi në Tiranë që ishte në konflikt pronësie me një kompani private të njohur, ku zoti Muçmata ka 25 për qind të aksioneve. Por nga deputeti Alibeaj nuk u sqarua nëse ky arrestim është urdhëruar nga organi i akuzës kur Muçmata drejtonte Prokurorinë e Tiranës. Ndërkaq, vetë kandidati Muçmata u shpreh se nuk kishte asnjë dijeni për këtë çështje. Ai deklaroi se ka punuar me ndershmëri dhe se ka zbatuar ligjin në çdo kohë të ushtrimit të funksioneve të tij, duke theksuar gjithashtu se nuk është ndikuar politikisht në vendimet e tij. “Në të gjitha funksionet që kam ushtruar, në asnjë rast nuk kam pasur ndikime politike përsa i takon zgjidhjes së çështjeve, edhe kur kam qenë në Prokurorinë e Përgjithshme, edhe kur kam qenë në Prokurorinë e rrethit”, - tha Muçmata. Kandidati iu përgjigj dhe interesimit për problemet që shqetësojnë aktualisht sistemin e drejtësisë, duke theksuar se mungesa e profesionalizmit dhe korrupsioni janë ndër problemet kryesore. “Këto probleme luftohen duke forcuar kontrollin mbi veprimtarinë e gjyqtarëve, mbi procedurat që ndjekin ata për gjykimet dhe në çdo rast duke mbajtur qëndrimet përkatëse disiplinore”, - tha ai.
Gjatë mbledhjes së sotme pritet që Komisioni i Ligjeve të japë opinionin e tij, nëse kandidaturat e presidentit për Gjykatën e Lartë, Mehdi Bici, Sokol Çomo dhe Vexhi Muçmata, janë të përshtatshme për të marrë ose jo votëbesimin e Parlamentit.

7 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›