E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRTRSH-ja miraton ndërtimin e dy parqeve eolike



Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi gjatë mbledhjes së djeshme vendimin për ndërtimin e dy parqeve eolike për prodhimin e energjisë elektrike nga era. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë mbledhje kryeministri Sali Berisha vlerësoi rëndësinë e këtyre projekteve të rëndësishme në fushën e energjisë. Pika e parë e rendit të ditës nisi me shqyrtimin e detyrës së projektimit të masterplanit për ndërtimin, instalimin dhe shfrytëzimin e centraleve elektrike me erë në komunat Cerravë, Vreshtas, Qendër Bilisht në qarkun e Korçës. Në prezantimin e projektit, përfaqësuesi i kompanisë "Hera sh.p.k" vuri në dukje se projekti shtrihet në një sipërfaqe prej 4125 hektarësh, ndërsa theksoi se është bërë një studim i mirëfilltë për mbrojtjen e mjedisit. Projekti parashikon ndërtimin e 82 aerogjeneratorëve me fuqi minimale prej 2 MW-3 MW secili.
Sekretariati teknik i KRRTRSH-së e miratoi këtë studim duke sugjeruar që kompania të marrë edhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe Restaurimeve, pasi në këto zona ka pasuri arkeologjike. KRRTRSH-ja miratoi edhe detyrën e projektimit dhe masterplanin e parkut energjetik eolik në Kryevidh të qarkut të Tiranës. Investimi shkon në vlerën 244 milionë euro, ndërsa kompania parashikon dhe ndërtimin e rrjetit rrugor prej 70 km, kryesisht optimizimin e rrugëve ekzistuese sipas parametrave bashkëkohore.
Në këtë zonë mendohet vendosja e 63 aerogjeneratorëve, ndërsa u propozua të bëhet një vendosje simetrike e tyre, pasi projekti ndodhet në një zonë turistike. Duke theksuar se kjo është një zonë e përshtatshme për park eolik, kryeministri Berisha kërkoi që në mënyrë absolute, të jepet garanci e plotë se projekti sjell zero ndotje akustike.

Komisioni i Ligjeve pritet të nisë sot shqyrtimin e projektligjit për Policinë Gjyqësore

Komisioni Parlamentar i Ligjeve pritet të nisë sot shqyrtimin e projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore. Këtë e bëri të ditur dje kreu i Komisionit, Ilir Rusmali, i cili tha se duhet të fillojë sa më parë diskutimi për këtë projektligj dhe pritet që komisioni të zhvillojë mbledhje edhe gjatë pasditeve. Projektligji për Policinë Gjyqësore ka ndryshuar 80% të formës së tij të mëparshme dhe ka përcaktime të reja në të gjitha nenet që lidhen me kriteret e pranimit, pagat, shpërblimet dhe kompetencat. Në këtë rast, prokurori ka precedencë, por ka nene të veçanta që i japin kompetenca edhe Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ky projektligj është në kuadër të reformës për drejtësi. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme janë protagonistët kryesorë të këtij ligji. Në pjesën më të madhe të projektligjit vihet re se ka një ndarje kompetencash mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Në shtesat që i janë bërë këtij drafti në kuadër të reformës në drejtësi, specifikisht në nenin 10, është shtuar pika ku “caktimi në seksionet e policisë gjyqësore bëhet bazuar në një procedurë konkurrimi nga ministri që ka në kompetencë forcën policore ku bën pjesë kandidati, ose nga Prokurori i Përgjithshëm në rastin e juristëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme të ekspertizës”. Ndërsa për rregullat më të hollësishme, do të kenë të drejtë që nëpërmjet një udhëzimi të përbashkët të vendosin Prokurori i Përgjithshëm, ministri i Brendshëm dhe ministrat përgjegjës që kanë në kompetencë forcat policore.
Projektligji parashikon që paga bazë e oficerit të Policisë Gjyqësore të jetë 59 500 lekë. Kësaj i shtohet edhe pagesa e vjetërsisë prej 4760 lekësh, por edhe shtesa për vjetërsi pune. Në total pagesa e një oficeri të Policisë Gjyqësore është 67 800 lekë.

7 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›