“Rama në Guiness, i vetmi politikan që i mat rrugët me kilometra katrorë”

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi reagon pas akuzave të Edi Ramës për rrugët
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi ironizon deklaratat e kryesocialsitit, Edi Rama lidhur me ndërtimin e rrugëve në vend. Olldashi thekson se, “10 mijë km rrugë dhe qytetarët që udhëtojnë në to, nuk janë barsoleta, pasi sipas tij, këto rrugë tashmë janë prekur nga qytetarët, të cilët e ndjejnë impaktin e tyre, duke u mundësuar hapjen e bizneseve të reja, shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe hapjen e tregjeve të reja për fermerët, manifakturën dhe gjithë sektorin prodhues të vendit. Në estradën e tij, Edi Rama është në të drejtën e tij që të mendojë broçkulla dhe të bëjë qyfyre. Por, Edi Rama bën gabim që citon shifra, veçanërisht tani që nuk i shënon më në dorë dhe, domosdo, s’i mban dot edhe mend. Sepse, teksa hazdis nëpër Shqipëri duke shpalosur numrat që shpik vetë, ai edhe i sheh, edhe i përdor këto rrugë. Shyqyr Zotit që s’i ha dot më sysh. Dikush duhet medoemos t’i thotë z. Rama se Shqipëria ka 18 mijë e 300 km rrugë”, thekson Olldashi.
Ministri i Punëve Publike vë në pah edhe një fakt tjetër lidhur me deklaratat e paqarta të Edi Ramës, kur tha se, ai është i vetmi politikan që është parë e dëgjuar që rrugët i mat me kilometër katrorë. Dikush duhet t’i tregojë z. Rama diferencën mes zonave dhe distancave, mes kilometrave dhe metrave, sepse në faqen e tij në ‘Facebook’, ai flet për rrugët me metra katrore, ndërkohë që rrugët maten me km dhe jo me metra katrorë. Nëse Edi Rama di ndonjë rrugë që ne kemi ndërtuar, që është një km katror e gjerë, ne i kërkojmë mirësisht të na e tregojë... Nëse ai nuk di ndonjë rruge të tille, atëherë ai duhet të jetë i vetmi shqiptar që mendon se rrugët maten me metra katrore dhe jo me kilometra. Rama në Gines. Është i vetmi politikan që është parë e dëgjuar që rrugët i mat me kilometër katrorë, llafet e tij me kilogramë dhe rreshtat e palo-programit me decibel”, tha ministri Sokol Olldashi.
Gjithashtu, kreu i Punëve Publike dhe Transporteve garantoi se qeveria do vazhdojë të ndërtojë dhe shtrojë rrugë, sepse siç tha ai, rrugët krijojnë vende të reja pune.
“Ne do të vazhdojmë të shtrojmë rrugë, sepse ka ende shumë punë për të bërë, sepse rrugët krijojnë vende të reja pune, sjellin paga më të mira, sjellin mbrothësi për shqiptarët”, deklaroi Olldashi.