E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Presidentit mbahen peng i ndryshimit të Rregullores



Eljona Ballhysa
Nuk është zhvilluar dje seanca e parë dëgjimore që ishte parashikuar me një prej kandidatëve të dekretuar nga presidenti Topi për postet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Arsyeja e shtyrjes së mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Ligjeve ishte mungesa e kryetarit të këtij komisioni, Ilir Rusmali, i cili po zhvillon një vizitë jashtë vendit. Dje ka përfunduar afati 3-javor që është parashikuar në Rregulloren e Kuvendit si afat në dispozicion të këtij institucioni për shqyrtimin e dekreteve. Kjo është e parashikuar në nenin 111 të Rregullores, në të cilën shkruhet se “në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tri javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të”.
Por, burimet nga PD-ja kanë bërë të ditur se dekretet e Presidentit do të shqyrtohen pas miratimit të ndryshimeve në Rregullore. Ndryshimet e propozuara nga PD-ja në Rregulloren e Kuvendit parashikojnë miratimin me votim të hapur të kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Ky propozim është kundërshtuar me forcë nga Partia Socialiste, por maxhoranca ende shpreson se do të mund të marrë kompromisin e PS-së për këto amendamente. Madje për këtë qëllim përdor shtyrjen përtej afateve të shqyrtimit dhe miratimit të tri dekreteve të presidentit Topi për Gjykatën e Lartë.
Dekretet
Vetëm pak kohë më parë, Presidenti i Republikës, në bazë të Kushtetutës, dekretoi tre gjyqtarë si anëtarë të Gjykatë së Lartë dhe i dërgoi dekretet për shqyrtim dhe miratim nga Kuvendi. Kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, që janë, Mehdi Bici, Sokol Çomo dhe Vexhi Muçmata, të cilët prej mëse tri javësh ende nuk janë marrë në shqyrtim nga Kuvendi. Kjo për shkak të debatit të nxitur nga maxhoranca për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit në mënyrë që dekretet e Presidentit të votohen në seancë me votë të hapur. Mehdi Bici është dekretuar gati dy vjet më parë nga presidenti Topi si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe ka marrë 86 vota kundër të PD-së për shkak se kreu i shtetit nuk u konsultua me Kuvendin për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Mehdi Bici shënon një karrierë të gjatë si gjyqtar në Gjykatën e Faktit në Tiranë, më pas ka mbajtur postin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit. Ai ka gjykuar procese të bujshme dhe njihet si gjyqtar që nuk ka marrë asnjë masë disiplinore.
Dekreti tjetër i presidentit është Sokol Çomo, i cili ka një karrierë të gjatë, prej më shumë se një dekade në Gjykatën e Faktit të Tiranës. Ka qenë për shumë vite nënkryetar i kësaj gjykate. Njihet si një gjyqtar që nuk ka marrë masa disiplinore dhe është marrë si me çështje civile, ashtu dhe me çështje penale.
Presidenti ka dekretuar Vexhi Muçmatën si anëtar të Gjykatës së Lartë. Muçmata ka një karrierë të gjatë si prokuror në Tiranë. Është jurist i njohur, me një karrierë të suksesshme.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›