E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në Drejtësi, në Kuvend vjen ligji për Policinë Gjyqësore



Një ligj tjetër shumë i rëndësishëm, po në kuadrin e reformës së sistemit të drejtësisë, që pritet të diskutohet së shpejti në komisionet parlamentare, është ai për Policinë Gjyqësore. Kryeministri Berisha e cilësoi këtë ligj si shumë të rëndësishëm përsa i përket reformës në sistemin e drejtësisë. “Vjen këto ditë te ju ligji i Policisë Gjyqësore, i cili ka një rëndësi të madhe në kuadrin e zbatimit më të mirë të ligjit të konfiskimit të pasurive të krimit të organizuar apo të ligjit antimafie. Ligji për Policinë Gjyqësore, në një bashkëpunim intensiv të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe organizmave ndërkombëtarë, është sjellë te ju në formën më të mirë të mundshme, në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit, e cila hetimin dhe udhëheqjen e tij ia atribuon Prokurorisë në sistemin që ne kemi të miratuar. Edhe me këtë ligj unë gjykoj që shënohet një hap i madh përpara në drejtim të zbatimit me seriozitetin më të madh të ligjit të konfiskimit të pasurisë së krimit të organizuar”, - është shprehur kreu i qeverisë, ndërsa bëri të ditur se edhe agjencitë e tjera po shqyrtojnë ligjet e funksionimit të tyre. “Agjencitë e tjera po shqyrtojnë ligjet e tyre. Në këtë kontekst po e shqyrton ligjin e saj Agjencia e Luftës Kundër Pastrimit të Parave, duke marrë modelet e atyre vendeve që kanë një ligj të ngjashëm me ne apo si tonin dhe që janë të pakta, për konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar. Po hartohen dhe finalizohet e gjithë baza ligjore dhe aktet ligjore të Agjencisë së Trajtimit të Pronave të Konfiskuara, të krimit të organizuar. Pra po thellohet reforma në fushën e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit”, - është shprehur kreu i qeverisë.

“Opozita t’i lërë inatet, të votojë heqjen e imunitetit”

Kryeministri Berisha i është rikthyer edhe njëherë çështjes së imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Ai i ka bërë thirrje opozitës që të lërë mënjanë inatet dhe të miratojë heqjen e imunitetit, pasi është në interesin e saj më të mirë. “Kam shpresë se opozita do të shqyrtojë qëndrimin, sikundër thirrja ime është që t’i lëmë inatet mënjanë dhe të heqim imunitetet. Sot kemi një ekspertizë të shkëlqyer nga Komisioni i Venecias mbi mekanizmin e heqjes së imunitetit. Ejani ta zbatojmë atë. Çdo ditë do të jetë më e vështirë për opozitën të justifikojë mbajtjen e imunitetit për qeveritarët dhe pushtetarët. Ajo s’mund të bëhet kurrë kërrabë e pushtetit. Në bindjen time më të thellë ajo duhet të promovojë dhe të insistojë për heqjen e imuniteteve. Ky është interesi i saj më i madh sot. Ky është interesi i saj permanent në çdo lloj rrethane”, - është shprehur Berisha.

Reforma
Qeveria do të shkurtojë inspektoratet, nga 36 do të mbeten vetëm 12

Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit të PD-së, Berisha i informoi deputetët mbi reformën e inspektorateve që ka ndërmarrë qeveria. Ai tha se do të shkurtohet numri i inspektorateve dhe nga 36 të tillë do të mbeten vetëm 12 inspektorate në të gjithë vendin. “Kjo periudhë duhet të jetë periudhë reformash intensive dhe të mëdha. Ne do të finalizojmë së shpejti reformën e inspektorateve. Është absolutisht një nga reformat më themelore, e cila do të organizohet në një mënyrë tërësisht tjetër. Nga 36 inspektorate, Shqipëria do të ketë 11 ose 12 të tilla me një sistem të plotë transparent, bazuar gjithçka në procedura dixhitale. Inspektorati në Shqipëri krijon një ndihmë të madhe për bizneset”, - është shprehur Berisha, ndërsa e cilësoi këtë një reformë në ndihmë të bizneseve pasi shmang arbitraritetet dhe mungesën e eficiencës. “Kjo është një reformë themelore për ekonominë dhe shërbimet dhe në tërësi për tregun. Kjo reformë është mbështetur nga ekspertët më të mirë të Europës, të cilët prej mbi një vit e gjysmë asistojnë pa ndërprerje qeverinë shqiptare dhe së shpejti, ligji i ri për inspektoratet vjen në Parlament”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu njoftoi edhe krijimin e agjencisë së investimeve të huaja. “Një transformim tërësor pëson sistemi i investimeve të huaja në Shqipëri. Krijohet një agjenci me një bord të ri, e cila synon të funksionojë si One Stop Shop, pra synon të lehtësojë investimet dhe investitorët e huaj në Shqipëri, por edhe vendas. Ky bord do të përbëhet tashmë jo vetëm nga gjyqtarë, qeveritarë, por edhe nga përfaqësues të biznesit. Si model është marrë modeli më i suksesshëm i Irlandës. Edhe ky ligj shpresojmë të marrë votëbesimin tuaj para mbylljes së këtij sesioni dhe ky do të ishte një mesazh i shkëlqyer dhe shumë i mirëpritur për biznesin kombëtar dhe ndërkombëtar, i cili po dëshmon një besim të madh në Shqipëri”, - është shprehur Berisha.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›