E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Europian do të diskutojë të mërkurën Rezolutën për Shqipërinë



Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian do të diskutojë të mërkurën Rezolutën për procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rezoluta e përgatitur nga eurodeputeti Nikolas Kauntis do të debatohet së bashku me amendamentet përkatëse të eurodeputetëve të tjerë. Në fakt, pikat më të debatueshme të Rezolutës janë pika 3, që ka të bëjë me situatën politike në Shqipëri dhe pika 6, që ka të bëjë me procesin e liberalizimit të vizave. Në tekstin e Rezolutës thuhet se Parlamenti Europian shpreh keqardhjen për krizën politike duke e konsideruar dialogun parlamentar si të nevojshëm për funksionimin demokratik të institucioneve, duke u bërë thirrje partive politike për angazhim të pandërprerë parlamentar. Në amendamentin e tij, vetë hartuesi Kauntis shton se Parlamenti Europian u bën thirrje aktorëve politikë për të marrë përsipër përgjegjësitë për dialog konstruktiv që të arrihet aktivitet i plotë dhe i pandërprerë parlamentar.
Por, eurodeputeti Svoboda mendon ndryshe. Në amendamentin e tij ai thotë se të dyja palët duhet të bien dakord për ndërmjetësim, për shembull nga anëtarë të Këshillit të Europës ose të Parlamentin Europian, duke theksuar se duhet gjetur zgjidhje për konfliktin për zgjedhjet, me propozime kompromisi nga palët.
Ndërsa eurodeputetja Doris Pak, në amendimin e saj kërkon që të konsiderohet se mungesa periodike e opozitës në Parlament po vonon miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave, duke i kërkuar opozitës që të reflektojë thellë. Të gjitha këto amendime pritet të diskutohen në mbledhjen e së mërkurës të Komisionit të Jashtëm Parlamentar.
Një tjetër pikë debati është edhe pika 6, ajo e liberalizimit të vizave. Në Rezolutën e hartuar nga Kauntis thuhet se PE-ja mirëpret përparimin e rëndësishëm të bërë në përgatitjet për liberalizimin e vizave, duke risjellë në kujtesë një deklaratë të përbashkët nga ana e Parlamentit Europian dhe Këshillit në të cilën dy institucionet u angazhuan për të shqyrtuar këtë propozim si një çështje urgjente. Eurodeputeti Boshtinaru kërkon që në këtë pikë të përfshihet edhe ndikimi i krizës politike në procesin e liberalizimit të vizave. Boshtinaru thotë se përkeqësimi i krizës politike në Shqipëri mund të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave, prandaj u kërkon të dyja palëve politike për të negociuar në funksion të një rezultati pozitiv dhe të qëndrueshëm të krizës, duke nënvizuar se nëse nuk gjendet një kompromis, Komisioni Europian duhet të pezullojë të gjithë procesin.
Rezoluta për procesin integrues të Shqipërisë, pas debateve në Komisionin e Jashtëm, do t’i dërgohet përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punët e Jashtme, zv.presidentit të Komisionit, të Këshillit, qeverive dhe parlamenteve të vendeve anëtare, si dhe qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë.

Partitë e vogla, Mediu: “Të ndryshojë Kodi Zgjedhor”

Në zgjedhjet e ardhshme republikanët kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka prezantuar edhe disa nga ndryshimet për ligjin zgjedhor, në një takim të Kryesisë së partisë në qarkun e Elbasanit. “Për Partinë Republikane është e rëndësishme që të ndryshojë Kodi Zgjedhor dhe kjo duhet bërë sa më shpejt. Së pari, në qoftë se do të ketë një ligj proporcional rajonal, duhet shoqëruar me një listë proporcionale kombëtare. Pra u bë një Kod Zgjedhor i cili binte ndesh me interesat e pluralizmit shqiptar për gjykimin tim, dhe jo thjesht me interesa të partive politike të mëdha apo të vogla. Partia Socialiste mori të gjithë atë që dëshironte në konceptin e saj për Kodin Zgjedhor”, - tha Mediu. Ndërkaq, republikanët i kanë kushtuar vëmendje edhe përzgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në zgjedhjet e pushtetit vendor.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›