Dekretet e Topit, PS drejt bojkotit të seancës në votim
Erald Kapri
Sokol çomo, i për-zgjedhuri i Presidentit Bamir Topi për në Gjykatën e Lartë, do të jenë sot i pranishëm në Komisionin e Ligjeve, ku do të përballet në seancën e parë dëgjimore. Kandidati për në Gjykatën e Lartë do t'u përgjigjet pyetjeve direkt të deputetëve të Komisionit të Ligjeve për karrierën e tij. Nga ana tjetër, çomo iu është përgjigjur 28 pyetjeve me shkrim të dërguara nga deputetët, ku ai shpreh se në të gjithë karrierën e tij në gjyqësor ka qenë korrekt ndaj ligjit. Nga ana tjetër, deputetët e opozitës do të jenë të pranishëm në Komision për seancën dëgjimore, por me shumë gjasa deputetët e opozitës pritet të bojkotojnë seancën, ku tre kandidatët e Topit për në Gjykatën e Lartë Medi Bici, Sokol çomo e Vexhi Muçmata do të votohen. Kjo shpjegohet me dy arsye nga deputet e opozitës. Së pari, ata kanë marrë një vendim politik për të bojkotuar çdo nismë në Parlament ndërsa nga ana tjetër, opozita nuk pajtohet me ndryshimet e Rregullores së Kuvendit për mënyrën e shqyrtimit dhe votimit të hapur për dekretet e Presidentit. Nisur nga kalendari i punimeve, kandidatët për në Gjykatën e Lartë pritet të miratohen brenda muajit korrik, për shkak se ky sesion parlamentar nuk mund të zgjasë përtej datës 29 korrik, pasi Kuvendi merr pushimet e verës për të filluar në muajin shtator.
Kandidatura e Sokol çomos ka kaluar edhe në një vëzhgim nga institucionet. Konkretisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dërguar një dosje me aktivitetin si gjyqtar të Sokol çomos. Gjatë viteve si gjyqtar, KLD-ja shprehet se ndaj ish-kreut të Gjykatës së Tiranës nuk ka pasur masa disiplinore, ndërsa ka pasur 14 ankesa individuale për punën e tij dhe se ai nuk ka qenë në strukturat e hetimit apo persekutimit politik të disidentëve shqiptarë në kohën e diktaturës. KLD ka dërguar në dosjen e plotë në Kuvend të gjitha vendimet që çomo ka marrë, për të cilat janë ankimuar, apo ka pasur ankesa për gjykimin e tyre. Njëkohësisht edhe Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive ka dërguar në Kuvend deklaratën e pasurisë së kandidatit çomo. Sipas ILDKP-së, Sokol çomo ka një apartament banimi në Tiranë, të blerë me kredi. Po sipas ILKDP-së, çomo nuk ka ndonjë aset tjetër pasuror, por gjatë gjithë këtyre viteve ai ka deklaruar pagën e tij si burimin pothuaj të vetëm financiar. Më tej ILKDP shprehet se nga kontrolli i deklaratave që ka bërë vit pas viti, nuk ka gjetur ndonjë konflikt të interesave tek kandidatura e çomos. ILKDP nga mbledhja e të dhënave dhe kryerjes së verifikimeve përkatëse konstaton se deklaratat e tij të pasurisë janë të vërteta dhe burimet financiare janë të mjaftueshme për pasurinë e krijuar. Ai vijon të paguajnë kredinë e shtëpisë së tij, të cilën e ka marrë për 25 vite, me interes 3 për qind.