E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbush 46 vjeç, festë private me miqtë



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka festuar dje 46- vjetorin e lindjes. Larg mediave dhe ceremonisë me bashkëpunëtorët e tij në selinë rozë, kreu opozitës këtë vit ka preferuar një lloj tjetër festimi. Ai është mbledhur me miqtë më të ngushtë dhe familjarët për ditëlindje, ndërkohë që nuk bëhen të ditura shumë detaje për vendin ku është zhvilluar festa apo njerëzit që janë ftuar. Mësohet se kreut të PS-së i kanë ardhur një numër i madh mesazhesh nga deputetët socialistë, por edhe qytetarë të thjeshtë, simpatizantë të së majtës që janë bashkuar me Ramën në këtë ditë. Duket se kriza politike nuk ka ofruar kushte për një ambient festiv, kjo edhe për faktin se këtë vit ditëlindja ka qëlluar ditën e diel. Ndërkohë që krejt ndryshe ishte situata një vit më parë, kur edhe pse PS u konfirmua edhe për një mandat tjetër në opozitë, deputetët e selisë rozë kishin rezervuar surpriza për kryetarin. Për shkak të situatës politike të ditës, kur kreu i LSI-së, Ilir Meta, sapo kishte pranuar ftesën e Kryeministrit Berisha për të bashkëqeverisur, Rama u shpreh se "këtë ditëlindje s'do e harroj kurrë". Ndërsa Kryeministri Sali Berisha e uroi gjatë një konference për shtyp: "Edi Ramës i uroj gëzuar ditëlindjen! Uroj që vitet që vijnë t'i sjellin më shumë rini". Ky është viti i 12-të që Rama feston ditëlindjen nga momenti kur la kryeqytetin francez, Parisin dhe iu përgjigj pozitivisht ish-Kryeministrit Fatos Nano për të marrë postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas dy vjetësh në këtë detyrë, ai u zgjodh në tetor të vitit 2000 si kryetar i Bashkisë së Tiranës, mandat të cilin e rifitoi në vitin 2003 dhe më pas në vitin 2007. Megjithëse në zgjedhjet e 28 qershorit ai ishte në krye të PS-së, nuk pranoi të linte detyrën në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që ende nuk dihet nëse në zgjedhjet e ardhshme lokale do të kandidojë për një mandat të katërt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›