Dekretet e Topit, grupi i PD-së vendos sot
Grupi parlamentar i PD-së pritet të marrë sot një vendim për emërimin e 5 gjyqtarëve
TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike pritet të marrë sot një vendim lidhur me qëndrimin që do të mbajnë për dekretet e emërimit të 5 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Pas dështimit të negociatave mes PD-së dhe Presidentit, grupi parlamentar i PD-së pritet që të dalë sot me një konkluzion, ku ashtu siç ndodh rëndom në këtë parti, vendimi do të përcaktohet në varësi të qëndrimit që do të mbajë vetë kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit një javë më parë, deklaroi në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, se Topi kishte gabuar duke mos u konsultuar për dekretet me dy partitë kryesore në vend. Madje, formalisht, atëherë kur kishte mbaruar gjithçka, kryeministri Berisha mandatoi edhe kryesinë e grupit parlamentar të PD-së, Atrit Patozin dhe Ilir Banon që të vijonin negociatat, të cilat u mbyllën pa sukses javës që lamë pas. PD ka paralajmëruar se nuk do të votojë 2 nga 5 dekretet e Topit, ndërkohe që vetë Presidenti e ka thënë fjalën e tij, duke pritur votimin e Kuvendit. Nga ana tjetër, PS ka kërkuar që dekretet e Topit të futen në procedurat parlamentare, ashtu si çdo rast tjetër, duke kërkuar që të mos ndërhyjnë në kompetencat që Presidentit i jep vetë Kushtetuta. Në bazë të nenit 136 pika 1 të Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Neni 111 i rregullores ndër të tjera thotë se, “në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështje Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 7 ditëve shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore”. Një vendim i grupit parlamentar i PD-së sot, mund të mundësojë edhe qëndrimin që deputetët e PD-së do të mbajnë pikërisht në Komisionin e Ligjeve, që ende nuk është mbledhur për të diskutuar dekretet e Topit.
N.P